Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

DVM Avni Kadriu, është njëri nga veterinerët i cili dyshohet për punë jo të mirë nga ana jonë.

I kemi dëshmitë e tre qenve të cilët janë gjetur në rrugë nga aktivistët tonë, plaga e të cilëve ishte në gjendje mizore, në pezmatim e sipër, që patjetër do të sillte vdekjen për ata qen, po nëse nuk ishin gjetur nga ne. A thua sa qen të tjerë janë në këtë gjendje dhe tanimë të vdekur në rrugë nga puna jo profesionale dhe mizore e disa veterinerëve në këtë projekt? Edhe pse ka punë të mirë në përgjithësi në projekt, nuk do të thotë që duhet injoruar qoftë edhe vetëm një rast mizor që është bërë ndaj një qeni.

Subjekti veterinar, ku Avni Kadriu është lider i ekipit (ndoshta edhe djali i tij, i cili nuk është veterinar) i ka edhe dy veterinerë të tjerë në ekip, të cilët nuk kanë asnjë përvojë me kafshë të vogla të shoqërimit e që ndoshta, as vet Avni Kadriu.

Ne po kërkojmë nga Komisioni i Etikës dhe AUVK që të testohen edhe aftësitë profesionale të veterinerëve të përfshirë në këtë projekt për të cilët dyshohet puna e mirëfilltë, – por as Komisioni Etik (i cili nuk ka filluar ende me punën dhe as me vizitat në terren, ndërsa ne si vullnetarë, pa asnjë cent në xhep, kemi bërë dhjetëra vizita deri më tani) dhe as AUVK nuk dëshiron të hulumtojë më shumë mbi gjendjet dyshuese që kemi gjetur tek Avni Kadriu.

Për më tepër, familja e Kadriut janë edhe kultivues të qenve dhe kemi parë edhe hapësirën e dobët të mbajtjes së qenve të tyre. AUVK ende dyshon se ne kemi inate me subjektin në fjalë dhe se mbajmë anën e disa veterinerëve në këtë projekt.

PO, ne ia mbajmë anën veterinerëve human dhe profesionistë, kushdo qofshin ata. Por nuk mund të kërkojnë nga ne t’i lavdërojmë veterinerët të cilët janë dyshues në punën që bëjnë. Nëse vërtetohet e kundërta, ne do të ishim të parët t’i lajmërojmë të gjithë për sukseset.

Në fund të projektit ne gjithsesi do të kërkojmë të gjitha të dhënat dhe do të mundohemi që çdo padrejtësi, qoftë me qen, qoftë me projekt dhe shfrytëzim të parasë publike, ta denoncojmë dhe të kërkojmë përgjegjësi ashtu siç është e paraparë me ligj.

Por gjithsesi, testimi i aftësive të veterinerëve, nuk është diçka negative. Vetëm e përmirëson përformancën e gjithë projektit e më së shumti u ndihmon veterinerëve.

Testimi i aftësive (për kastrim/sterelizim) të veterinerëve që merren kryesisht me kafshë të mëdha është kërkuar nga ne por edhe nga Shoqata Veterinare për Kafshë të Shoqërimit (KSAVA) qysh në fillim të tenderimit të projektit. Por asnjëherë nuk ka ndodhur, sepse AUVK ishte e bindur se veterinerët do të punojnë mirë.

Ky projekt nuk duhet të shërbejë për testim të aftësive të veterinerëve, sepse është projekt tejet i nevojshëm për shtetin tonë, andaj kemi nevojë për angazhim të vetëm veterinerëve profesionistë në laminë a kafshëve të vogla të shoqërimit dhe të veterinerëve që janë transparent në punën e tyre.

 

 

 

 

 

© Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve
Prishtinë, 17 Korrik, 2020