Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Siç e dini, në prill të këtij viti, ka filluar projekti shtetëror për menaxhimin e qenve endacakë përmes metodës KSVL, i cili do të zgjatë 1 vit.

Gjatë dhjetëra vizitave që organizata jonë ka realizuar deri më tani në cilësinë e monitoruesit, kemi hasur në punë edhe shqetësuese dhe jo të mirë nga ana e disa subjekteve veterinare, mirëpo fatmirësisht, deri më tani, puna jo e mirë, është vërejtur tek një numër i vogël i veterinerëve. Nga 29 subjekte veterinare të kontraktuara, vetëm 7 ishin të raportuara me vërejtje urgjente, për të cilat ishte dashur të reagohej menjeherë nga AUVK. Në të gjitha rastet, Drejtori i Drejtorisë për Mirëqenien e Kafshëve, z. S. Heta, në kuadër të AUVK-ës dhe Shefit të tyre Ekzekutiv, z. Gjinovcit, është treguar i përgjegjshëm dhe human për trajtimin e rasteve dyshuese apo abuzive tek një numër i vogël i subjekteve veterinare, që ishin raportuar nga ne, përveç punës së veterinerëve në Prizren (deri më tani). Edhe pse në disa raste na është dashur të jemi më insistues për ta bindur AUVK për gjetjet tona, – rezultatet e fundit deri më tani, kanë dalur me sukses dhe shpresë për punë edhe më të mirë, sa i përket trajtimit profesional dhe human të qenve endacak, përgjatë projektit shtetëror të menaxhimit dhe kontrollit të shtimit të qenve endacak që menaxhohet nga AUVK. 

Tek shumë veterinerë, kemi vërejtur një punë shumë të mirë. Puna e mirë dhe profesionale e disa veterinerëve dhe dedikimi i tyre në këtë projekt duhet të mirret shembull nga të gjithë veterinerët e përfshirë në këtë projekt.

Në vizitat tona tek subjektet e kontraktuara veterinare, në përgjithësi kemi vërejtur punë shumë të mirë.

Plagët post-operative, kushtet e qenve gjatë qëndrimit në këto qendra, gjatë vizitave tona, kanë qenë mjaft të kënaqshme. Në disa raste, ka pasur nevojë që së bashku me veterinerët të diskutojmë për vërejtje të vogla në qendrat e tyre, por shumica e subjekteve veterinare, veçse ishin duke planifikuar që qendrat e tyre të jenë edhe më të mira, gjatë viteteve të ardhshme. Kjo mbetet për t’u parë dhe patjetër do të jemi përkrah atyre që punojnë moralshëm dhe duke respektuar dinjitetin e qenve që trajtojnë dhe patjetër që do të reagojmë me vërejtjet tona, nëse puna e ndonjërit subjekt veterinar, nuk shkon sic duhet – duke raportuar tek Komisioni Etik i Odës Veterinare në Kosovë dhe AUVK. Për rastet kriminale dhe abuzive, adresë janë organet kompetente.

Veterinerët e përmendur më poshtë, gjithmonë kanë qenë bashkëpunues dhe konstruktiv gjatë vizitave tona nëpër këto qendra. 

A.V. “Veterina 1” (DMV Shefki Ajdini), A.V. “Uran Rexhepi B.I.” (DMV Uran Rexhepi), A.V “Drenas” (DMV Elbasan Ibriqi), A.V “Fauna” në Podujevë (Nazmi Lahu) & A.V. “Albatriti” (Albatrit Halili) në Podujevë, A.V. Zenel Zhabari, A.V. “Mitro-Vet”, A.V. Qerim Basholli, A.V. As-Vet (DVM Florik Haxhikadrija), A.V. Veterina (DVM Haki Bytyci), A.V. Era (DVM Driton Morina), A.V. Theranda Vets (DVM Kreshnik Rugova), A.V. Diagnoza (DVM Valon Sherifi), A.V. Pro Vet (DVM Blendi Bejdoni), A.V. Bujar Mustafa, A.V. Enkeli Med Vet (DVM Avni Robaj), A.V. KaoniVet (DVM Granit Tafa). 

 Çfarë mungonte në përgjithësi në këtë projekt ishte dokumentimi (fotografimi) i kapjeve të qenve dhe lëshimit të tyre pas operimit dhe hospitalizimit. Ne vazhdimisht jemi ankuar tek AUVK për këtë gjë, ngaqë transparenca e vërtetë dhe e suksesshme e këtij projekti do të konfirmohet, vetëm nëse të gjitha hapat e punës në këtë projekt, dokumentohen nga veterinerët. 

Jemi shumë të lumtur që AUVK ka kërkuar nga java e kaluar, që edhe kapja dhe lëshimi të dokumentohet. 

I falenderojmë të gjithë veterinerët e angazhuar në këtë projekt të cilët janë të dedikuar 100% në punën e tyre në këtë projekt dhe që mirëqenien e secilit qen në qendrat e tyre e kanë prioritet.

Ne e kuptojmë që ky nuk është aspak projekt i lehtë, dhe gjatë punës mund të ndodhin gabime e komplikime, mirëpo përgjegjësia në punë dhe dedikimi 100% janë të domosdoshme, e fatmirësisht, deri më tani, ky dedikim nuk mungon tek shumë veterinerë.

 

 

 

 

 

 

 

© Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve
Prishtinë, 30 qershor, 2020