Kufizimet e reja të lëvizjes (https://msh.rks-gov.net/adresimi-i-ministrit-te-shendetesise-arben-vitia-ne-konferencen-e-sontme-per-media/), me qëllim të parandalimit të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, janë më se të nevojshme, por kanë shpërfillur nevojat thelbësore për mbajtësit e kafshëve shoqëruese dhe kafshët e tyre.
Ne bashkëndjejmë me të gjitha institucionet dhe i përgëzojmë për punën e bërë në luftimin e kësaj pandemie e cila po i rrezikon të gjithë pa dallim.
Ndonëse e kuptojmë që masat e caktuara nga institucionet janë të domosdoshme dhe kanë për qëllim ruajtjen e shëndetit publik, këto kufizime diskriminojnë mbajtësit e kafshëve shoqëruese, e ç’është edhe më e rëndësishme, i minimizojnë skajshëm nevojat e kafshëve shoqëruese.
Kafshët tona shtëpiake, kanë nevojë që të dalin për nevojat e tyre fiziologjike dhe psikike, në ecjet e tyre edhe pse të kufizuara gjatë kësaj periudhe. Nuk mund t’i injorojmë nevojat bazike të kafshëve; është jo humane dhe shpërfillëse, nëse nuk i marrim parasysh nevojat e qenieve të tjera që bashkëjetojnë me ne, si anëtarë të familjes.
Duke marrë parasysh këto kufizime dhe ndikimin e tyre në mirëqenien e kafshëve, organizata jonë ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të rishikojnë kufizimin e lëvizjes për mbajtësit e kafshëve shoqëruese dhe të dalin me udhëzime të reja në mënyrë që të plotësohen nevojat bazike të kafshëve.