Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

I nderuari kryetar z. Agim Bahtiri dhe drejtor z. Nehat Bahtiri,

Shpresojmë që fillimisht ky emal ju gjen mirë.

Po ju shkruajmë në emër të organizatës tonë (të poshtëshenuar) rreth situatës së qenve endacakë në Komunën e Mitrovicës.

Fillimisht nga burimet tona, të njerëzve që veprojnë për të mirën e përbashkët në dhënjën e ndihmës dhe ekspertizës mbi çështjet e qenve endacakë dhe raportit të tyre me njerëzit, kemi marrë informatën që Komuna e Mitrovicës ka bërë plan që t’i ekzekutojë të gjithë qentë ne komunë. Do të thotë, qentë të vritën nga shoqata të gjuetarëve.

Më pas, ne biseduam me z. Nehat Bahtirin (Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Mitrovicë), sot me datë 16 shkurt. Ai na konfirmoi që komuna nuk ka marrë asnjë vëndim të tillë dhe nuk bëhet fjalë për vrasjën e qenve; – veprim i cili do të ishte jashtëligjor dhe aspak profesional.

Bile përkundrazi, z. Nehat Bahtiri më njoftoi që keni lëshuar një vendim para një jave, mbi mbrojtjen e qenve nga çdo vrasje eventuale në situata të tilla.

E lus me shumë mirësjellje z. Bahtirin që të na dërgojë atë vendim. Në web-faqe, nuk e kemi gjetur askund. Kemi gjetur vetëm takimin e drejtrorit Nehat Bahtiri me Policinë dhe shoqatën e gjuetarëve: https://kk.rks-gov.net/mitroviceejugut/news/drejtoria-per-mbrojtje-dhe-shpetim-kerkon-trajtim-te-mirefillte-te-qenve-endacake/

Si shtesë, ndoshta mund të na tregoni më shumë mbi prezencën e shoqatës së gjuetarëve në takimin që kishit. Shpresoj që ishte aty si organizatë për mbrojtën e kafshëve dhe për të dhënë sugjerime të masave pozitive dhe ligjore për çështjet e agresivitetit potencial të qenve endacakë në Komunën e Mitrovicës, kurse shpresojmë që nuk ishte aty për ndonjë propozim që do të çonte në ndonjë veprim si në të kaluarën në Kosovë: vrasjen masive të qenve nga ana e tyre.

Qentë endacakë edhe këtë vit do të trajtohen (KSVL) dhe regjistrimi i qenve me pronarë do të implementohet po ashtu (sipas Udhezimit Administrativ 02/2018), sipas takimeve që kemi pasur me z. Arbër Tarakun, ‘Koordinatorin Kombëtar’ për çështjet e qenve endacakë. Në moment që të gjithë pronarët e qenve regjistrohen së bashku me qentë e tyre, çështja e qenve endacakë do të zgjidhet edhe më lehtë dhe në një mënyrë më efikase, që mos të ketë më qen të braktisur në rrugë nga pronarë të pa përgjegjshëm, të cilët do të ndëshkoheshin për braktisjen e qenve të tyre.

Si risi dhe shembull për tu ndjekur, ju njoftojmë se, në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit po ndërtohet një ‘Qendër Për Trajtim të Përkohshëm të Kafshëve endacake’ që parashihen sipas Udhëzimit Administrativ 04/2017. Kjo qendër to të shërbejë në nivel komunal dhe rajonal, për çështjet e qenve endacakë, trajtimin e tyre, regjistrimin, identifikimin e qenve agresivë dhe zbutjen e qenve potencialisht agresivë. Do të thotë, së shpejti në ato komuna, do të ekzistojë një zgjidhje me e qëndrueshme dhe afat-gjate për qentë endacakë.

Si përfundim, ne sugjerojmë dy masa preventive nga sulmet potenciale të qenve për qytetarët:

Si masë fillestare, do të ishtë mirë që fëmijët e mitur (që specifikohet edhe nga legjislacioni në fuqi për mbrojtën e të miturve): të mos dalin në rrugicat afër mbeturinave apo edhe në zonat periferike të qytetit, pa mbikëqyrje të prindërve. Në çdo shtet të botës së zhvilluar, (edhe pa qen endacakë) fëmijët shoqërohen nga të rriturit, kurse tek ne, fëmijet dalin me orë të tëra pa asnjë mbikëqyrje, duke qenë të rrezikuar jo vetëm nga qentë endacakë, por edhe nga shume rreziqe të tjera. Qentë në këtë përiudhë të dimrit, mbrojnë ushqimin shumë më tepër se zakonisht, andaj mund të tregohen edhe më “agresivë” në disa raste.

Si masë e dytë, do të ishte ideal që njerëzit të mos tregoheshin aq agresivë ndaj qenve (sidomos sa janë të vegjel – aty qentë marrin traumat fillestare nga njerëzit). Ju lus, sugjeroni njerëzit, që të kenë diçka për të ngrenë për qentë në vend se t’i shkelmojnë ata. Flasim nga përvojat tona, sepse edhe ne si aktivistë shpesh ndeshemi me qen të cilët duken më agresivë në moment të parë, sepse qentë nganjëherë mbrojnë territorin dhe ushqimin e tyre, por në moment që kuptojnë që kemi ushqim dhe nuk jemi kërcënim për ta, nuk sulmojnë, por përkundrazi, shoqërohen me njerëz.

Me shumë mirësjellje kërkojmë që në takimet e radhës, të na ftoni edhe neve (ashtu siç ishte ftuar shoqata e gjuetarëve), ngaqë sic është thënë nga z. Bahtiri, qëllimet i kemi të përbashkëta dhe ngaqë në këto takime bisedohet për zgjidhet më të mira për qentë dhe njerëzit. Besojmë bindshëm që mund të japim kontribut të dobishëm.

Presim me mirësjellje po ashtu vendimin zyrtar të Drejtorisë në fjalë dhe shpresojmë në një bashkëpunim të qendrushëm, që garanton siguri për të gjithë, edhe njerëzit edhe qentë endacakë.

 

Faleminderit!

Sinqerisht,
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë