Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Lajmi për sulmin e 8-vjeçarit në Vushtrri nga qentë endacakë është me të vërtetë shqetësues dhe shumë tragjik për fëmijën që pësoi lëndimin.

Ky rast, na vërteton edhe njëherë, me theks të veçant se sa me seriozitet duhet marrë programet e regjistrimit, kastrimit/sterelizimit dhe vaksinimit të qenve endacakë dhe atyre me shoqërues (pronarë), në Kosovë.

Po ashtu, në mungesë të vendeve të përshtatshme shtetërore (për momentin) për mbylljen dhe ri-edukimin e qenve agresivë (endacakë apo edhe me shoqërues), projektet në Kosovë, lejojnë që të bëhet eutanazia e qenve që janë të rrëzikshëm.

Qentë që cilësohen si të rrëzikshëm nga natyra e tyre (që cilësohen nga profesionistë që kuptojnë psikologjinë e qenit dhe veterinerët në disa raste), zakonisht vihen në gjumë, me procedura mjekësore-veterinere, pa dhimbje per kafshën; ngaqë për momentin, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër institucionale për ta (përveç adoptimeve nga një përson apo organizatë, që merr përgjegjësi ligjore për qenin agresiv).

Sidoqoftë, shpresojmë që projektet dhe tenderat e lëshuara nga AUVK, në të ardhmen, do t’i marrin subjektet me mandat dhe profesionalizëm të përshtatshëm dhe të duhur për të bërë kampanja vetëdijesuese, për t’i informuar dhe mësuar qytetarët dhe fëmijët në shkollë: se si duhet dhe si NUK duhet të sillëmi afër kafshëve endacake, sidomos atyre agresive; po ashtu, të informohen qytetarët se si të lajmërojnë një qen potecial agresiv, tek zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimeve Publike (apo klinikat veterinare të kontraktuara për KSVL nga shteti) për secilën komunë përkatëse, në mënyrë që ta trajtojnë qenin me kastrim dhe vaksinim – dhe në raste të agresivitetit të tyre të konfirmuar, të bëhet eutanazia. Shumë shpesh njerëzit i cilësojnë qentë si agresivë, pasi që i ngacmojnë dhe i përndjekin ata çdo ditë. Për fat të keq, fëmijët janë në disa raste viktima të agresivitetit të vet prindërve të tyre apo të rriturve që kanë ushtruar ndaj qenve në rrugë sepse janë të mësuar se si të sillën me qentë dhe kafshët në përgjithësi.

Shumë shpejt, me rastin e ndërtimit të qendrave për përkujdesje të përkohshme (QPP) në Komunën e Prishtinës dhe Prizrenit, qentë agresivë, do të kenë mundësinë (nëse punohet zellshëm në këtë drejtim) që të kalojnë në disa faza të ri-edukimit që të largohet agresiviteti i tyre dhe të jenë potencial për adoptim dhe jo të lirohet sërish në rrugë sikur qentë të tjerë që do të trajtohen në QPP-ët.

Ne do të bëjmë apel të hapur në të ardhmen e afërt, së pari tek institucionet vendore (komunat) që të investojnë sa më shpejt, në një Qendër për Përkujdesje të Përkohshme (QPP), siç parashihet me Udhëzim Administrativ 04/2017, që të gjithë qentë të trajtohen siç duhet dhe me një monitorim të lartë të punës për çdo qen, veç e veç.
Për më tepër do të ftojmë edhe organizata të huaja po ashtu, që të jenë pjesë e përkrahjës së programeve të ri-edukimit dhe rehabilitimit të kafshëve endacake të rrezikshme/agresive në Kosovë.

Është fakt që qentë edukohen shumë lehtë, por institucionet tona, pak më vështirë.

Shpresojmë që institucionet tona nuk do të marrin vendime jo efektive (sepse duhet edhe arseyja e sulmit dhe të kuptohet situata e saktë) duke i përgjithësur të gjithë qentë, vetëm pse nuk janë në gjendje ta punësojnë një (për secilën komunë) profesionist për identifikimin e qenve agresivë, në mënyrë që ata qen të largohen nga rruga në të cilat mund të paraqesin rrezik për qytetarët, sic shohim nga rasti i fundit.