Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Ne i jemi falënderues mediave si Insajderi dhe Koha.net, që në vitin 2019 kanë publikuar vrasjet dhe luftërat e qenve, specifikisht në Rahovec. (vegëzat më poshtë)

Ne mendojmë që falë presionit publik (dhe peticionit online të organizuar nga disa aktivistë) dhe rrezikut për një reputacion negativ të Komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, kryetari i Komunës së Rahovecit, ka shpallur dhe publikuar urdhëresën më poshtë.

Nuk e mohojmë që ky veprim është i duhur. Jemi mjaft të kënaqur që një kryetar ka vënë në pah këtë problem dhe kërkon dhe paralajmëron abuzuesit dhe institucionet tjera në mënyrë formale dhe serioze që këto vepra barbarie dhe krimi, të ndalohen.

Sidoqoftë, të gjitha pikat e urdhëresës janë të theksuara në ligjin Ligj nr. 02/L-10 – “për përkujdesje ndaj kafshëve”. Do të thotë, institucionet kanë qenë të informuara që luftërat me qen janë shkelje ligjore. Çfarë ka munguar deri më tani, është vullneti institucional dhe politik që të merren me këto abuzime dhe krime ndaj kafshëve.
Sa herë që kemi njoftuar policinë për abuzime ndaj kafshëve, është dashtë t’iu bëjmë lutje që të vinë dhe të hapin rastet. Bile disa, na kanë lënë të presim me orë të tëra në stacionet policore.
Kur kemi kërkuar inspektorë të veterinarisë që të vijnë në tregun e kafshëve që t’i identifikojë shitësit dhe therësit jashtëligjor të kafshëve (që thereshin në kushte jo higjienike dhe pa trullosje paraprake të kafshëve), ata janë tërhequr duke gjuajtur fajin tek institucione tjera, apo edhe më keq, duke mos marrë këto probleme seriozisht.

Si përfundim, shumë mirë që kjo iniciativë nga një kryetar është ndërmarr, tani na mbetet neve si organizata jo qeveritare për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, t’i qëndrojmë kësaj urdhërese pranë dhe të garantojmë zbatim të mirëfilltë dhe të duhur për t’i shpëtuar qentë nga abuzuesit e tyre.

Siç e vëreni, dënimet janë vetëm gjoba (që normalisht kanë efektin e vet ndëshkues), sepse ligji 02/L-10 e parasheh ashtu. Por, ndëshkimet më efikase do të ishin, burgimi i abuzuesve dhe konfiskimi i kafshës viktimë. Nga marsi 2019, Kodi Penal i rishikuar rishtazi (dhe i miratuar që do të hyjë në fuqi në mars 2019) do të parasheh abuzimin ndaj kafshëve si vepër penale. Këtë e presim me padurim!