Qytetarët nuk janë aspak të informuar se si të sillen dhe çfarë (potencialisht) të evitojnë në takim me qentë endacakë. Për këtë, shumë qytetar dhe organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar reagim dhe të ndahen fonde nga buxheti shtetëror, për informim dhe vetëdijesim të qytetarëve mbi këto çështje.
Ky alokim i fondeve ka ndodhur përnjëmend. AUVK kishte në dispozicion, fonde me vlerë: 124.000 EURO – për informim të qytetarëve dhe për përpilimin e një analize dhe studimi mbi gjendjen e qenve endacakë në Kosovë. Por çfarë ka ndodhur me ato fonde të tatimpaguesve? Dhe ku janë rezultatet? Kompania MALAFARM http://www.malafarm.com/MF/ është kompania që është kontraktuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Republikës së Kosovës (AUVK) qysh nga janari 2018, me synim të informimit të qytetarëve mbi situatën e qenve endacakë – me vlerë të 111.000 EURO kontratë.
Kjo kompani, sipas tenderit, ka 50 ditë pune në dispozicion, të cilat deri më tani 45 ditë i kanë shfrytëzuar. Në një takim me AUVK-ën, ata na treguan disa “foldera” të lëndës së tenderit në fjalë – në të cilin ne pamë vetëm disa foto të printuara të 4-5 njerëz, në sheshin “Nëna Terezë” duke shpërndarë një “revistë” informuese që veçse ishte e printuar nga një fushate tjetër rajonale për sensibilizim të bërë nga http://www.oie.int/ jo nga kompania MALAFARM.
MALAFARM, përkundrazi kishte printuar disa bluza dhe kapela për “kampanjën” e tyre – të cilat janë totalisht të panevojshme për momentin! Situata e qenve endacakë dhe informimi i duhur i qytetarëve duhet të fillojë nga informatat bazë, jo me printime të kota të sendeve (rrobave). Këto metoda promovuese duhet të vijnë më vonë – jo tani! Njerëzit janë të irrituar nga qentë endacakë – nuk gëzohen dhe informohen duke veshur një bluzë apo kapele me një qen apo kafshë në të.
Disa foto tjera tregonin disa vizita në shkolla – por nuk na u bë e qartë se në cilat shkolla. Fotot e folderit të tenderit ishin vetëm të printuara aty, me një kualitet të dobët dhe pa asnjë informatë relevante ndër fotot – do të thotë, pa asnjë raport mbi aktivitetet. Ne kemi kërkuar nga AUVK – që të na dërgojnë materialet e projektit të kampanjës, për të vërtetuar punën, kinse efektive të MALAFARM; më specifikisht kemi kërkuar:
- Planin e aktiviteteve dhe planin kohor të 50 ditëve pune;
- Planin buxhetor të 111.000 EURO – të hollave të qytetarëve;
- Raportin (interim: narrativ dhe financiar);
Asgjë deri më tani nuk kemi marrë nga AUVK dhe as nga MALAFARM. Jemi ende në pritje, por së shpejti, pas kërkesës tonë të pestë për qasje në dokumente publike – nëse nuk marrim asgjë – organet e drejtësisë do ta rregullojnë këtë çështje për
mrekulli!
Çdo qytetar ka të drejtën e qasjes në dokumentet publike. Tatimet tona janë arsyeja pse këto institucione shtetërore funksionojnë! E vetëm ta dini, që edhe këtë radhë, tatimet tona shkojnë për pasurimin e një kompanie farmaceutike, pa asnjë ekspertizë profesionale në anketim, hulumtim apo informim/vetëdijesim.
Për fund, shikone webfaqen dhe faqen në facebook të Malafarm – nuk ka asnjë material promovues për qentë endacakë.
Çfarë është bërë me 111.000 Euro? Ku janë rezultatet?
Mashtrim dhe korrupsioni! Asgjë tjetër!