Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë ka marrë informata nga aktivistë në Drenas, që atje po bëhet vrasja mizore e qenve. Me të kuptuar këtë, i kemi dërguar letër kryetarit të Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, për të bërë thirrje që Komuna e Drenasit së bashku me institucionet tjera të marrin masa ndaj kësaj dukurie mizore, e cila është e ndëshkueshme edhe me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Më poshtë mund të lexoni letrën dërguar Komunës së Drenasit:

I nderuar Kryetar, z. Lladrovci,

Po ju shkruajmë me shqetësimin më të madh sa i përket vrasjes mizore të qenve që po ndodhë në këto ditët e fundit në Komunën e Drenasit. 

Kjo gjë asesi nuk lejohet ligjërisht dhe është përtej çdo etike njerëzore. 

Përveç që kjo gjë duhet të hetohet nga ju si komunë, Komuna po ashtu duhet të angazhohet me inspektorët e saj, për të parandaluar një gjë kaq mizore. 

Komuna, po ashtu duhet të dalë me një deklaratë publike për të bërë thirrje tek qytetarët e saj që të mos bëhët një gjë e tillë, apo ndoshta Komuna e juaj ka kontraktuar gjuetar dhe njerëz për të bërë një gjë kaq mizore? 

Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat ligjorë që të shohim se çfarë ka të bëjë Komuna në këtë gjë, sepse në të kaluarën e dimë të gjithë që Komunat e Kosovës kanë kontraktuar njerëz dhe gjuetarë, të vrasin mizorisht qen, sepse projektet humane, ligjore dhe të qendrueshme janë vështirë për t’u realizuar në një vend ku ligji është vetëm letër dhe asgjë tjetër. 

Nëse nuk reagohet me kohë për këtë gjë, ne do të sigurohemi që ky gjest i lejuar nga Komuna e juaj, të shkoj anembanë botës dhe të dihet mirë që shteti i Kosovës lejon vrasjen e qenve jo vetëm me anë të disa veterinerëve të pa kualifikuar që kinse trajtojnë qen më metodën KSVL, por që po ashtu heshtin kur ka vrasje të tilla në një vend kinse në hapa drejt Evropës. 

Kërkojmë reagim edhe nga AUVK, të cilët kanë pasur takime me Komunat e Kosovës për çështjen e qenve endacak dhe që duhet t’i mësojnë Komunat e Kosovës t’i kuptojnë më mirë projektet humane, ligjore dhe efektive të menaxhimit të popullatës së qenve në rrugë. 

Presim përgjigje dhe reagim nga ju të gjithë!