Nga shtatori i vitit 2020, është punuar në Plotësimin dhe ndryshimin e Udhëzimit Administrativ si më poshtë:
- Udhëzimi Administrativ (MBPZHR) – Nr. 02/2018 – Për Identifikimin dhe Regjistrimin e Kafshëve Shoqëruese, të shqiptohen edhe sanksionet e individëve që nuk bëjnë regjistrimin e kafshëve të tyre shoqëruese.
- Udhëzimi Administrativ (MBPZHR) 01/2018 – Për kompenzimin financiar për shërbimet veterinare në terren; – që të shtohen kompensimet e veterinerëve për regjistrimin e kafshëve shoqëruese.
- Regjistrimin e Mbarështuesve dhe Pet Shops (dyqanet/tregjet e kafshëve)
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve dhe AUVK do ta propozojnë draftin e parë të Udhëzimit Administrativ për Mbarështuesit dhe Pet Shop-et.
Në grupin punuës ishte organizata jonë së bashku me zyrtarët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me fasilitim të zyrës së u.d. të zëvendës Kryeministrit të parë, z. Besnik Tahiri.
Dy udhëzimet e para janë publikuar për konsultime publike. Pas konsultimeve publike dhe ndryshimet e përshtatura sipas nevojës apo komenteve shtesë të akterëve të tjerë, udhëzimet administrative do të nënshkruhen nga u.d. së Ministrit të MBPZHR, z. Besian Mustafa.
Udhëzimi i tretë, për kriteret e mbarështimit të kafshëve shoqëruese, do të finalizohet në javët në vijim dhe po ashtu do të dërgohet pranë Zyrës Ligjore të MBPZHR për aprovim dhe nënshkrim.
Ne i falenderojmë institucionet që janë pajtuar që të punohet në gjërat thelbësore për zbutjen e shtimit dhe shumimit të qenve në rrugë. Shpresojmë të vazhdojnë kështu edhe më tutje sepse pa pasur një bazë të fortë ligjore, është shumë vështirë të parandalohen fenomenet negative të shoqërisë.
Për të punuar në mënyrë të qëndrueshme, ligjore dhe humane rreth projekteve të menaxhimit dhe zvogëlimit të numrit të kafshëve endacake në rrugë, mbajtësit e kafshëve (kur regjistrohen) do të obligohen t’i regjistrojnë kafshët e tyre shoqëruese dhe do të ndëshkohen nëse i hedhin në rrugë. Ndëshkimi mund të bëhet vetëm nëse institucionet gjegjëse angazhohen me të vërtetë për identifikimin e mbajtësve/pronarëve të cilët kanë braktisur kafshët e tyre. Do të thotë, nëse me të vërtetë zbatohet udhëzimi administrativ në fjalë.
Identifikimi dhe regjistrimi i kafshëve shoqëruese është çelësi kryesor për një të ardhme me më pak dhimbje për kafshët e rrugës dhe për vet shoqërinë dhe sigurinë e shëndetit publik.
E falenderojmë shumë edhe znj. Helen Wormser, Drejtoreshë e Fondacionit StrayCoco, e cila na ka dhënë këshilla dhe burime ligjore nga shteti Zviceran për indentifikim dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese.
Para 4 viteve, StrayCoco po ashtu ka organizuar një vizitë studimore për ish-Drejtorin Ekzekutiv, z. Valdet Gjinovcin, për të vizituar institucionet relevante zvicërane (në Zurich) për regjistrimin e kafshëve shoqëruese. Qysh nga atëherë nuk ka filluar regjistrimi i kafshëve shoqëruese por nga takimet e shumëta që kemi me AUVK-ën, thuhet se për 2021 është planifikuar të fillohet regjistrimi i kafshëve shoqëruese si fazë pilotuese me regjistrimin e 3.000 qenve (fillimisht, ngaqë çështja e qenve endacak është më delikate dhe prek po ashtu shoqërinë kosovare).
Për informata më të sakta rreth fillimit të regjistrimit, do të ju njoftojmë përsëri me të dhëna më zyrtare edhe nga AUVK.