*KUJDES: PAMJE TË RËNDA*
Organizata jonë ka pranuar me shqetësim raportimet e aktivistëve për vrasje të qenve përmes helmimit, në lagjen Matiqan të Prishtinës, por fatkeqësisht, kjo po ndodh edhe në shumë vende tjera në Kosovë.
Një nga rastet e fundit të vrasjes së organizuar të qenve, kemi patur rastin të shohim edhe në një nga deponitë ilegale të mbeturinave në fshatin Uglar të Fushë Kosovës, ku gjatë vizitës tonë kemi hasur në disa kufoma të qenve, të futur në thasë dhe të sjellur në këtë deponi. Përveç kufomave, kemi gjetur edhe 4 këlyshë të braktisur. Me shumë gjasë, nëna e këlyshave gjendet në njërin nga thasët. Këlyshat janë shpëtuar nga ekipi dhe janë strehuar në një vend të sigurtë.
Për këto vrasje masive duhet të jap llogaridhënie shteti dhe Komuna e Prishtinës dhe Fushë Kosovës, ngaqë disa nga qentë e vrarë kishin edhe vath identifikues (do të thotë të operuar nga veterinerët e kontraktuar). Ekipi jonë është duke e hulumtuar këtë rast në shumë detaje dhe do të ndërmarr hapat e nevojshme drejt kësaj mizorie.
Ne i rikujtojmë të gjithë qytetarët që vrasja dhe keqtrajtimi i qenve sipas nenit 346 (paragrafi 1, 2.1, 4) të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, janë vepra penale të dënueshme me burgim.
Ne i ftojmë të gjithë aktivistët dhe dashamirësit e kafshëve të raportojnë rastet e tilla në organet kompetente, dhe nëse kanë nevojë për ndihmë, organizata jonë do t’i këshillojë dhe ndihmojë në paraqitjen e këtyre krimeve. Por gjithsesi duhet ndihmë shtesë sepse kapacitetet njerëzore në organizatë janë shumë të mangëta.
Përveç faktit që vrasja e qenve është një fenomen tejet çnjerëzor dhe jashtëligjor, hudhja e kufomave të kafshëve në këtë mënyrë është shumë e rrezikshme edhe për njerëzit, pasi që në vete përmban rreziqe të përhapjes së ndonjë sëmundjeje apo kontaminimi të ambientit.
Poashtu, i bëjmë thirrje të gjitha Komunave që të fillojnë sa më shpejtë me projekte të dedikuara për trajtim human dhe të qëndrueshëm të popullsisë së qenve endacak përmes metodës KSVL, e poashtu të promovojnë mbajtjen e përgjegjshme të qenve, duke bërë thirrje që të ndalet braktisja e tyre, si një nga burimet kryesore të shtimit të qenve në rrugë, dhe të ndalet abuzimi me kafshë, e që shpesh si përfundim ka edhe vrasjen e tyre.
Është detyrë e institucioneve që të marrin masa për t’u siguruar që bashkëjetesa njeri-kafshë të jetë në harmoni të plotë, dhe të marrin masa ndaj çfarëdo akteri që rrezikon këtë bashkëjetesë, përderisa shteti angazhohet po ashtu që numri i kafshëve të rrugës të zvogëlohet në mënyrë të qëndrueshme (po ashtu duke i strehuar qentë pasi që numri i qenve në rrugë të pakësohet).
Komunat duhet gjithsesi të marrin masa edhe për sigurinë dhe shëndetin e qytetarëve, duke u siguruar që qentë agresivë (të vlerësuar nga ekspertët e sjelljeve të qenve) të mos lihen të bredhin në rrugë, por të ju sigurohet strehim dhe rehabilitim në qendra strehimi publika apo private.
Ne jemi duke këshilluar Komunat në zgjidhjen e këtij problemi, duke propozuar masa efektive, humane dhe të qëndrushme, të cilat respektojnë mirëqenien e kafshës në njërën anë, dhe ofrojnë siguri për qytetarët dhe nuk rrezikojnë shëndetin e tyre në anën tjetër.