REAGIM KUNDËR VRASJES SË QENVE ENDACAK NGA BASHKIA E TIRANËS
Për: Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, z. Erion Velijaj
Në vëmendje të: Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi
Nga: Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Kosovë, me numër të regjistrimit: 5200423-3
15 prill 2021
Me këtë letër të hapur, drejtuar Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Erion Velijaj dhe në vëmendje të Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemal Minxhozi, shprehim indinjatën tonë rreth vrasjes së qenve të rrugës, përmes veprimeve jo humane dhe jo të qëndrueshme të menaxhimit të popullsisë së qenve të rrugës, në Bashkinë e Tiranës.
Fillimisht, është shumë shqetësuese që në vitin 2021, Bashkia e Tiranës ende vendosë t’i vrasë qentë e rrugës dhe nuk zgjedhë metoda etike dhe të qëndrueshme të menaxhimit të qenve endacak në vend. Vrasja dhe keqtrajtimi i kafshëve në atë mënyrë përbën shkelje të Ligjit Nr. 10 465 – ‘Për Shërbimin Veterinar’ në Republikën e Shqipërisë.
Edhe pse Bashkia garanton që është duke zbatuar metodën KSVL (kap, sterilizo, vaksino, lësho) për trajtimin e qenve të rrugës, faktet tronditëse të shumë aktivistëve për mbrojtjën e kafshëve endacake në Shqipëri dhe mungesa e transparencës institucionale në projektet aktive për trajtimin e kafshëve të rrugës nga Bashkia, vetëm se tregojnë të kundërtën. Është po ashtu shqetësuese që pavarësisht nenit 12 të Seksionit 2 të Ligjit Nr. 10 465, shteti shqiptar ende nuk koncentrohet tek burimi kryesori i rritjes apo mbi-popullësisë së qenve endacak në Shqipëri. Nëse do të adresohej ky shqetësim nga burimi i problemit, situata do të ishte shumë më ndryshe dhe shumë më lehtë e menaxhueshme edhe nga ju si institucione gjegjëse për sigurimin e mirëqenies së kafshëve dhe të njerëzve në Shqipëri.
Qentë endacak nuk përfundojnë në rrugë nga dëshira e tyre, por nga braktisjet e shumta të kafshëve shoqëruese që bëhen në Shqipëri, pothuajse çdo ditë (fakte nga puna e përditshme e organizatave jo qeveritare dhe aktivistëve për mbrojtën e kafshëve endacake në Shqipëri). E njëjta situatë, me numër të madh të qenve endacak, është edhe në Kosovë. Por, me insistim dhe punë bashkëpunuese të organizatës tonë me institucionet përgjegjëse, në mars të vitit 2021, Ministri i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Kosovës, ka nënshkruar një akt nënligjorpër regjistrimin e qenve me mbajtës/pronar dhe ndëshkimin e personave që braktisin qentë e tyre në rrugë. Aprovimi i këtij akti nënligjor nga institucionet përgjegjëse, është njëri nga veprimet më të qëlluara drejt zgjidhjes etike dhe të qëndrueshme rreth shtimit (braktisja) dhe shumimit (riprodhimit në rrugë) të qenve endacak sepse kjo dispozitë ligjore rregullon direkt burimin e problematikës.
Vrasja e qenve, përveç se është tejet çnjerëzore dhe jashtëligjore, nuk është aspak zgjidhje e qëndrueshme, dhe në fakt, jo që nuk ndihmon në zgjidhje të problemit, por ndikon në përkeqësim të tij.
Gjendja përkeqësohet sepse burimi i shtimit të qenve në rrugë nuk ndalet asnjëherë dhe qentë e shumtë që jetojnë në periferi të qyteteve, afrohen tek zonat e banimit për t’u ushqyer, pikërisht në vendet e njëjta ku janë ushqyer qentë që Bashkia e Tiranës ka vrarë tash e sa vite. Nëse një shtet vazhdimisht përdorë metodën e vrasjës së qenve, kinse për zvogëlimin e numrit të tyre në rrugë, vetëm do të tregojë para botës se sa mendje-ngushtë dhe zemër-ligë që është, dhe asgjë më shumë. Bashkia e Tiranës jep shembull për të gjitha Bashkitë tjera në Shqipëri, andaj duhet të bëjë shumë kujdes në vendimet që merr sa i përket trajtimit të kafshëve të pastreha.
Se vrasja masive e qenve nuk është zgjidhje, mund të merret shembull një shtet si Rumania, i cili me vite të tëra është munduar të zgjedhë problemin e qenve endacak përmes vrasjes, dhe në fakt rastet e sulmeve dhe kafshimeve të qenve ndaj njerëzve kanë vazhduar të rriten. Pasi që kjo nuk ka funksionuar, shteti rumun ka ndaluar metodat mizore të vrasjes së qenve, dhe përmes metodave humane siç është parandalimi i braktisjes së kafshëve shoqëruese dhe KSVL (kapje, sterilizim/kastrim, vaksinim dhe lëshim), ka arritur që dukshëm ta zvogëlojë numrin e qenve në rrugë, e poashtu të zvogëlojë edhe numrin e sulmeve të qenve ndaj njerëzve.
Se metodat humane si KSVL dhe edukimi i shoqërisë për mbajtje të përgjegjshme të kafshëve ka sukses kur punohet me seriozitet, mund të mirret shembull edhe një shtet si Holanda, i cili e ka eliminuar tërësisht problemin e qenve endacak duke aplikuar masa humane dhe të qëndrueshme dhe asesi vrasjen e qenve të rrugës. Edhe Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve, bën thirrje që kontrolli i popullsisë së qenve endacak të bëhet përmes metodave humane, efektive dhe të qëndrueshme dhe rekomandojnë bindshëm që vrasja (nepërmjet eutanazisë) të mos jetë opsioni i parë dhe se eutanazia e kafshëve të lejohet vetëm në rastet kur me të vërtetë konstatohet nga ekspertët e sjelljeve të kafshëve (në rast agresiviteti) apo edhe nga veterinerët etik dhe profesional (në rast të vuajtjës së tepërt nga gjendja e rëndë shëndetësore e kafshës).
Strehimi i qenve është një zgjidhje potenciale, por ka sukses, vetëm nëse numri i qenve në rrugë zvogëlohet dukshëm nepërmjet metodave humane. Pa rregulluar kontrollin e mirëfillët të qenve me mbajtës/pronar (regjistrimi i kafshëve shoqëruese – qenit) dhe mbarështuesve të qenve apo kafshëve shoqëruese (që nuk regjistrojnë kafshët e tyre dhe nuk raportojnë shtetit për mbajtjen, dhurimin apo shitblerjën e kafshës), çfarëdo metode tjetër për zvogëlimin e qenve të rrugës, nuk do të funksionojë.
Ne e kuptojmë që shumë qytetarë nuk dëshirojnë të shohin asnjë qen në rrugë me arsyetim se sulmohen apo ndjehen të frikësuar nga ta, dhe dëshirojnë me padurim zgjidhje të menjëhershme. Megjithatë, secili shtet e ka për dëtyrë që t’i rregullojë raportet mes njerëzve dhe po ashtu mes njerëzve dhe kafshëve, duke përdorur metoda etike për problemet potenciale në një shoqëri. Agresiviteti i qenve të rrugës ndaj njerëzve vjen vetëm nga sjelljet agresive të njerëzve ndaj qenve. Qentë, nga natyra (bazuar në shkencat kinologjike) janë të butë me njerëzit dhe të domestikuar që të jenë të nënshtruar ndaj njerëzve. Andaj, populli duhet të edukohet dhe emancipohet, që t’i respektojë kafshët endacake, përderisa shteti punon drejt zvogëlimit human dhe të qëndrueshëm të numrit të tyre në rrugë, apo edhe në një të ardhme të afërt, për strehimin human të qenve të mbetur në rrugë.
Është po ashtu e domosdoshme që institucionet përgjegjëse të organizojnë edhe kampanja vetdijësuese, për të promovuar mbajtjen e përgjegjshme të qenve, si dhe për t’i vetdijësuar mbajtësit e qenve jo vetëm të mos i braktisin kafshët e tyre, por edhe të kujdesen për mirëqenien e plotë të kafshëve të tyre duke ua plotësuar të gjitha nevojat fiziologjike dhe psikike.
Organizata jonë së bashku me organizatat partnere në Shqipëri, është në dispozicionin e Bashkisë për të këshilluar dhe propozuar një Plan Kombëtar Strategjik me masa humane dhe efektive për zgjidhje të qëndrueshme të problemit të qenve endacakë, përmes shkëmbimit të përvojave tona në këtë fushë.
Organizata jonë i bashkëndan propozimet e Grupit të Dashamirësve të Kafshëve në Shqipëri dhe po ashtu jep rekomandimet e konkluduara si më poshtë:
- Të hartohet dhe miratohet një rregullore për regjistrimin e kafshëve shoqëruese (qenit me mbajtës/pronar) në mënyrë që të ndëshkohet braktisja e qenve të familjës dhe të obligohet regjistrimi i të gjithë qenve me mbajtës dhe mbajtësit e tyre (bazuar në nenin 12 të Ligjit për Sherbimin Veterinar).
- Të hartohet dhe miratohet një rregullore për qendrat mbarështuese të kafshëve shoqëruese dhe të ndalohet shitja e kafshëve të pa identifikuara dhe regjistruara.
- Të ndalohet shitja e kafshëve në tregjet e hapura dhe Pet-Shopet e pa licencuara
- Të kontrollohen më strikt kufijtë tokësor dhe ujor sa i përket transportit apo shitblerjës së kafshëve shoqëruese në apo nga Shqipëria
- Të zbatohen projekte të vazhdueshme shtetërore përmes metodës KSVL (kap, sterilizo, vaksino, lësho)
- Të organizohen kampanja informuese për qytetarët, rreth mbajtës së përgjegjshme të kafshëve shoqëruese (që të parandalohen braktisjet e shumta të kafshëve dhe të parandalohen sëmundjet potenciale zoonotike)
- Të financohen programe shtetërore të kastrimit/sterilizimit të qenve me mbajtës/pronar, për të gjithë mbajtësit/pronarët që kanë pak të hyra mujore.
- Të bëhen disa Qendra të Trajtimit të Kafshëve Endacake (ambulatore) në Tiranë
- Të bashkëpunohet me aktivistët për mbrojtjen e kafshëve endacake në mënyrë që të kenë transparencë të plotë në punën e veterinerëve të kontraktuar nga Bashkia.
- Të formohen grupe ndër-institucionale (në mes Bashkive) për të ideuar, shqyrtuar dhe planifikuar strategji apo masa për të mirën e kafshëve dhe njerëzve Bashku dhe në gjithë Shqipërinë.
Duke shpresuar që Bashkia e Tiranës do t’i dëgjojë thirrjet e aktivistëve për mbrojtje të kafshëve, ne i kërkojmë asaj të ndalojë menjëherë praktikat mizore të vrasjes së qenve të rrugës dhe t’i aplikojë metodat humane, efektive dhe të qëndrueshme, me profesionalizëm dhe transparencë të plotë të punës.
Në emër të kafshëve,
Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve në Repubikën e Kosovës.