Që nga hyrja në fuqi e Udhëzimeve Administrative (MBPZHR) 01/2021 & 02/2021 për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve shoqëruese në vend, organizata jonë ka vazhduar të angazhohet seriozisht që në bashkëpunim me AUVK, të fillojë zbatimii i këtyre dy udhëzimeve administrative.
Për këtë qëllim, javën e kaluar, jemi takuar me zyrtarë të AUVK për të ofruar ndihmën tonë sa i përket përditësimit të regjistrit aktual qëndror të AUVK-ës për regjistrimin e kafshëve, në mënyrë që të përfshihet edhe regjistrimi i kafshëve shoqëruese (qenve), si parakusht kryesor për fillimin e identifikimit dhe regjistrimit të qenve me mbajtës/pronar.
Regjistrimi i kafshëve shoqëruese me mbajtës/pronar, është një nga masat kryesore për menaxhim human, të qëndrueshëm dhe efektiv të popullsisë së qenve endacak, prandaj edhe organizata jonë përmes mbështetjes financiare nga znj. Helen Wormser, drejtoreshë e Fondacionit StrayCoco, ka ofruar financimin e përditësimit të regjistrit qëndror të AUVK-së.
Organizata jonë është e përkushtuar për një zgjidhje të qëndrueshme dhe humane të zvogëlimit të numrit të qenve endacakë, prandaj edhe gjatë muajit maj do të takohemi me institucionet përgjegjëse për ta ngritur këtë temë dhe për të propozuar strategjinë kombëtare për menaxhim të qenve endacak, në mënyrë që kjo çështje të trajtohet me intenzitet të shtuar nga të gjithë akterët e përfshirë, sipas legjislacionit në fuqi në Republikën e Kosovës.
Është mjaft pozitive që një institucion si AUVK ka mirëpritur bashkëpunimin dhe mbështetjen e organizatës tonë për të filluar identifikimin dhe regjistrimin e qenve me mbajtës, si një nga masat kryesore për kontrollim dhe parandalim të braktisjeve të qenve në rrugë.
Sapo të fillojë identifikimi dhe regjistrimi i qenve me mbajtës, organizata jonë do t’iu informojë me kohë.