Sot, përfaqësues të Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve u takuan me zv. Ministren e Ministrisë së Ambientit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, znj. Linda Çavdarbasha, shefen e kabinetit të Ministrit, znj. Rineta Jashari si dhe z. Gent Zeqiri, këshilltar për Media në MMPHI.
Në këtë takim, me zv. Ministren biseduam për mbrojtjen e kafshëve të egra, si dhe prezantuam të gjeturat tona rreth diskrepancave ligjore të mbrojtjes së kafshëve të egra në Kosovë.
Legjislacioni aktual në raport me mbrojtjen ligjore të kafshëve të egra, lë shumë për të dëshiruar, pasi që shumë akte ligjore e nën-ligjore, janë të mangëta kur bëhet fjalë për mbrojtjen e kafshëve të egra, e në anën tjetër gjuetia e pakontrolluar mbetet një problem mjaft shqetësues, për të cilin deri më tani institucionet tona nuk kanë ndërmarrë veprime konkrete e serioze për të zgjidhur këtë problem.
Zv. Ministrja Çavdarbasha ishte shumë e hapur për bashkëpunim edhe për këtë temë, meqenëse kafshët e egra janë një pjesë shumë e rëndësishme e mbrojtjes së mjedisit, dhe rrjedhimisht, pa kafshë të egra nuk mund të ketë një ekosistem të qëndrueshëm.
Ne kemi ofruar mbështetjen tonë si OJQ për Ministrinë në mënyrë që të ndërmirren hapa konkretë për mbrojtjen e kafshëve të egra, duke filluar nga plotësimi i mangësive në legjislacionin aktual. Në këtë drejtim, organizata jonë gjatë javëve në vijim do të dorëzojë në MMPHI një analizë ligjore të legjislacionit aktual që ka të bëjë me mbrojtjen e kafshëve të egra në Kosovë, e më pas, do të propozojë edhe hapa konkretë për përmirësimin e mbrojtjes institucionale të kafshëve të egra në Kosovë.
E falenderojmë shumë zv. Ministren Çavdarbasha dhe stafin e saj që na pranuan në takim, si dhe për gatishmërinë për të ndërmarrë hapa konkretë për mbrojtje të qëndrueshme të faunës në Kosovë.