Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Dhënja e anestetikëve pa arsye mjekësore, pa ndihmën e plotë veterinare, rrezikon dukshëm mirëqenien e kafshës dhe konsiderohet nga organizata jonë si ‘keqtrajtim’, në bazë të nenit 346, paragrafi 2.1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës: “keqtrajtim – nënkupton veprimin apo mosveprimin me të cilin kafshës i shkaktohen vuajtje, dhembje apo shqetësime të rënda, të cilat në shkallën dhe rrethanat në të cilat paraqiten janë të tepruara dhe të panevojshme.”

Para disa ditësh (10 maj 2021), organizata jonë ka marrë informata që një qen i komunitetit/endacak (në foto) që zakonisht qëndron tek Bibloteka Kombëtare dhe Sheshi Zahir Pajaziti në Prishtinë, është marrë nga produksioni filmik “Filmtory” i cili xhiron një film të metrazhit të gjatë “Lëkura e krokodillit”, me regji të Ilirjan Himaj dhe producente Teuta Krasniqi (marrë nga prononcimi i tyre publik) dhe është futur në gjumë për më shumë se një orë, nëpërmjet anestetikëve, nga persona jo të autorizuar dhe aq më keq, individë që nuk janë veterinerë profesionistë të licencuar.

Arsyeja se pse qenit i kishin aplikuar anestetik, ishte për shkak që të xhironin një pjesë ku qeni do duhej të dukej i vdekur.

Organizata jonë, gjatë gjithë kohës ka qenë në kontakt me aktivistët dëshmitarë dhe me ekipin e produksionit që të vërtohet se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Nga aktivistët, thuhet që rreth orës 22:00 me datë 10 maj 2021, qeni ishte gjetur në gjumë, pastaj rreth orës 23:30, qeni ishte i shtrirë tek Bibloteka, gjysëm i zgjuar, duke vjellur nga anestezioni – pa asnjë person (dhe as veterinar) rreth tij për ta ndihmuar.

Sipas ekipit filmik, thuhet që ekipi ka qene vazhdimisht afër qenit, së bashku me një person që ekipi pretendonte të ishte veterinar M.O. Emri i personit nuk gjendet tek lista e subjekteve veterinare në faqën zyrtare të AUVK-ës dhe ende po presim informata nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Odës Veterinare për emrin e veterinarit të pretenduar.

Ne kemi kërkuar dëshmi ku vërtetohet që veterinari M.O ishte afër gjatë gjithë kohës në atë natë (para anestezionit dhe pas anestezionit), por nuk kemi marrë asnjë dëshmi të tillë nga produksioni filmik në fjalë.

Duke pasur të dhënat e deritanishme, organizata jonë cilëson se aplikmi i anestetikëve tek qentë e rrugës, pa leje speciale nga AUVK dhe pa kujdesin e plotë veterinar (disa orë para vënjës së anestezionit dhe pas saj – vetëm për shkaqe mjekësore) konsiderohet si ‘keqtrajtim’ nga neglizhenca dhe mos-kujdesi i duhur sepse kafsha, e pavetëdijshme që të vendosë për vetën e saj, ka pësuar shqetësim dhe rrezik të madh të ngulfatjes nga të vjellurat potenciale që anestezioni dhe procesi i zgjimit nga anestezioni do të mund t’ia shkaktonte.

Sipas studimeve veterinare mjekësore, para aplikimit të anestetikëve, do duhej që kafshëve shoqëruese t’iu bëhen analiza apo kontrolla mjekësore që të vërtetohet që kafsha nuk rrezikohet për shkak të ndonjë alergjie, sëmundje kronike, moshës, peshës dhe çfarë është më e rëndësishmja, për shkak të ushqyerjes para anestezionit. Qentë duhet të qëndrojnë pa ushqim dhe ujë, 6-8 orë para aplikimit të anestezionit. Pastaj, pas zgjimit nga anestezioni, qenve (dhe kafshëve shoqëruese) i duhet kujdes maksimal edhe të pakten katër (4) orë pas zgjimit nga anestetikët. A është bërë i gjithë ky kujdes nga stafi i produksionit filmik? A ishte aty veterinari për të kontrolluar gjendjen e qenit? Dhe ç’është më e rëndësishmja, a ka raport mjekësor veterinar për trajtimin që i është bërë qenit?

Ngaqë ekipi nuk ka ofruar më shumë fakte rreth kujdesit të supozuar për qenin, dhe nga deklarata e tyre vihet në përfundim që qeni është ushqyer gjatë gjithë ditës (edhe në momentet para aplikimit të anestezionit – duke rrezikuar seriozisht shëdentin e qenit), ne do t’i drejtohemi prokurorisë kompetente që të hetojë këtë rast më detajisht.

Është fakt që qeni në fjalë është parë në qytet, pa pasoja të dukshme pas anestezionit, mirëpo ky fakt nuk e arsyeton shqetësimin e shkaktuar ndaj kafshës përmes aplikimit të anestetikëve pa u përcjellur procedurat e nevojshme mjekësore.

Për fund, trajtimi në këtë mënyrë i një qeni endacak nga personat që deklarohen si dashamirë të kafshëve, nxitë një precedent të rrezikshëm të keqtrajtimit të kafshëve për qëllime personale apo edhe profesionale.

Nuk është hera e parë që për shkaqe “artistike”, shfrytëzohen dhe keqshfrytëzohen kafshët e gjora të këtij vendi, andaj i ftojmë artistët e vendit tonë, që të kenë shumë kujdes para se të ndërmarrin hapa ku duhet përfshirë edhe kafshët.

Vegëz shtesë për rreziqet e anestezionit: https://www.akc.org/expert-advice/health/what-to-know-about-anesthesia/