Kryeqyteti i Kosovës, Komuna e Prishtinës, që nga shkurti i këtij viti nuk ka projekt aktiv për trajtim të qenve endacak përmes metodës KSVL.
Edhe pse na është thënë neve dhe qytetarëve disa herë që procedura e kontraktimit të operatorit ekonomik për projektin e KSVL në Prishtinë është në proces të nënshkrimit, projekti ende nuk ka filluar dhe as nuk pritet të fillojë shpejt pikërisht në kohën kur ka më së shumti shumime të qenve në rrugë.
Projektet e KSVL, nëse nuk zbatohen në vazhdimësi, asnjëherë nuk e arrijnë efektin e dëshiruar, e që është zvogëlimi i numrit të qenve në rrugë përmes ndalimit të shumimit.
Në anën tjetër, ka qytetarë të cilët ankohen në polici për numër të madh të qenve në lagjet e tyre, për qen potencialisht agresiv, e policia e qytetarët nuk kanë ku të drejtohen, pasi që Komuna nuk ka projekt aktiv për këtë situatë dhe kështu organizata jonë dhe aktivistët tjerë duhet të merremi me rastet për të cilat Komuna është e obliguar të merret.
Kafshët e gjora nuk kanë aspak faj që braktisen ose edhe lindin në rrugë, prandaj i takon (ligjërisht) institucioneve lokale dhe qendrore të marrin masa humane për të zvogëluar deri në minimum numrin e qenve në rrugë.
I bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës që sa më parë të kontraktojë subjektin/subjektet veterinare për të filluar me kastrimin/sterilizimin dhe vaksinimin e qenve të rrugës.