Sot, përfaqësuesit e organizatës tonë u takuan me udhëheqësen e Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, znj. Jehona Grantolli, për të diskutuar rreth fenomenit të keqtrajtimeve ndaj kafshëve në Republikën e Kosovës, fenomenin e krimit të organizuar të luftërave me qen, dhe angazhimin e Prokurorisë për t’i hetuar rastet e tilla me më shumë seriozitet dhe prioritet.
Gjatë muajve të kaluar, organizata jonë ka dorëzuar dhjetra kallëzime penale kundër keqtrajtuesve të kafshëve dhe disa nga to, ishin hudhur poshtë nga prokuroritë pa u shterrur të gjitha mjetet juridike: pa u zhvilluar fare hetime, pa kërkuar ekspertizë nga profesionistët e fushës, dhe pa arritur të argumentojnë siç duhet vendimet për të hudhur poshtë kallëzimet penale. Për këtë arsye, organizata jonë ka adresuar këtë problematikë në instancat më të larta të Prokurorisë së Shtetit.
Gjatë takimit me znj. Grantolli, diskutuam për nevojën e sensibilizimit dhe trajnimeve shtesë për prokurorët rreth mbrojtjes së të drejtave të kafshëve, dhe për nevojën urgjente që rastet e abuzimit të kafshëve të trajtohen me seriozitet më të madh nga ana e Prokurorive në Kosovë. Znj. Grantolli ishte shumë e hapur për të dëgjuar shqetësimet tona, dhe ishte e hapur për bashkëpunim me organizatën tonë, për të trajtuar çështjen e keqtrajtimit të kafshëve, dhe fenomenit të krimit të organizuar me luftërat e qenve.
Në kuadër të bashkëpunimit me Prokurorinë, organizata jonë, me mbështetje të organizatave partnere, ka ofruar gatishmërinë për të sjellur ekspertë të mbrojtjes ligjore të kafshëve, posaçërisht prokurorë apo juristë të specializuar në ndjekjen penale të krimeve me kafshë, për të organizuar trajnime apo seminare për prokurorët dhe zyrtarët policor të Republikës së Kosovës.
Keqtrajtimi i kafshëve dhe luftërat me qen, janë vepra të dënueshme me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, e fatkeqësisht ky fenomen është mjaft prezent në vendin tonë, andaj duhet të adresohet me shumë urgjencë nga organet e drejtësisë.
Organizata jonë është gjithmonë e gatshme të ndihmojë institucionet e Kosovës në fushën e mbrojtjes së kafshëve, prandaj për këtë arsye shpeshherë kemi kërkuar dhe inicuar takime me zyrtarë të institucioneve të ndryshme të Kosovës, për të adresuar mbrojtjen e kafshëve në Kosovë, dhe duke ofruar sygjerime konkrete për zgjidhje të problemeve që ndërlidhen me mbrojtjen e kafshëve në njërën anë, dhe shëndetin dhe sigurinë publike në anën tjetër.