Zgjedhjet lokale janë një mundësi e mirë që qytetarët të kërkojnë nga kandidatët për kryetarë komunash zgjidhje konkrete për problemet e përditshme që preokupojnë qytetarët.
Një ndër këto probleme, është edhe situata me prezencë të madhe të qenve të rrugës, në të gjitha komunat.
Në deklarimet tona, gjithmonë kemi theksuar që jeta në rrugë për këto kafshë, do të thotë rrezikim i skajshëm i mirëqenies së tyre. Kafshët në rrugë janë viktima të keqtrajtimeve nga njerëzit, aksidenteve, sëmundjeve dhe mungesës së ushqimit të duhur dhe ujit të freskët.
Kjo mirëqenie e dobët e kafshëve të rrugës, përveç tek kafshët, ka më pas pasoja edhe për shëndetin dhe sigurinë publike. Prezenca e numrit të madh të qenve në rrugë, është e frikshme për shumë qytetarë, të cilët me të drejtë kërkojnë hapësira publike më të sigurta.
Deri më tani, komunat në Kosovë nuk kanë ndërmarrë hapa serioz për të adresuar këtë situatë, duke ndërmarrë projekte gjysmake të kastrimit dhe sterilizimit, dhe atë vetëm kur ka pasur presion të madh publik.
Edhe pse komunat, pa mbështetjen e nivelit qendror, nuk mund të zgjidhin situatën me qentë endacak, janë disa masa të rregulluara edhe me dispozitat ligjore në fuqi që mund të ndërmirren nga autoritetet komunale për të menaxhuar numrin aktual të qenve në rrugë dhe për të evituar ndonjë incident që mund të ndodhë mes njerëzve dhe qenve të rrugës.
Ne si organizatë, kemi përpiluar një propozim-dokument për të gjithë kandidatët për kryetarë komunash, me një sërë masash që duhet të ndërmarrin për ta trajtuar problemin e prezencës së madhe të qenve në rrugë.
Këto masa, janë po ashtu pjesë e strategjisë kombëtare për menaxhim të qenve endacak, të cilën organizata jonë e ka dorëzuar në Zyren e Kryeministrit dhe institucionet tjera relevante.
Masat komunale për menaxhimin e qenve endacak, përfshijnë:
- Zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore që kanë të bëjnë me identifikimin dhe regjistrimin e qenve me pronar
- Edukimi në shkolla dhe vetdijësimi i shoqërisë në lidhje me mirëqenien e kafshëve
- Subvencionimin e kastrimit dhe sterilizimit të qenve me pronar
- Projekte aktive të KSVL-së gjatë gjithë vitit, paralelisht nga të gjitha komunat
- Krijimin e qendrave për trajtim të përkohshëm të kafshëve endacake dhe qendrave të shpëtimit
- Prezantimin e ‘kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake’
- Kontrollin e qasjes në resurse, përmes pikave ushqyese
Ne kërkojmë nga autoritetet komunale, që të bëhen më serioz në aspektin e menaxhimit human dhe të qëndrueshëm të qenve endacak. Edhe kafshët e rrugës, edhe njerëzit, meritojnë më mirë, prandaj duhet të kërkojnë angazhim serioz dhe konkret nga udhëheqësit e ardhshëm të komunave, për ta trajtuar këtë problem në mënyrë të mirëfilltë.
Dokumentin e plotë, mund ta lexoni KËTU.