Nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, është marrë vendim për caktimin e Grupit Punues për analizimin e politikes lidhur me qentë endacak, me pjesëtarë të përbërë nga anëtarë të MAPL-së, përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Komuna e Prishtinës, Përfaqësues nga Associacioni i Komunave të Republikës së Kosovës (AKK) dhe përfaqësues nga organizata e jonë.
Pas shumë kërkesave nga ana e organizatës tonë, për të themeluar një grup ndër-institucional ku të gjithë akterët e përfshirë do të krijonin një qasje strategjike të zgjidhjes së çështjës së popullsisë së qenve endacak në Kosovë, dhe çfarë është më e rëndësishmja, si të parandalohet nga rrënjët e problemit, tani MAPL ka bërë vendim që të formohet një grup i tillë, ku do të diskutohet për të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e rritjes së numrit të qenve endacak në vend dhe zbatimi e masave për qentë endacak aktualisht në rrugë.
Organizata jonë ka dorëzuar një propozim të një strategjie kombëtare për menaxhimin human, efektiv dhe të qëndrueshëm të popullsisë së qenve endacak. Pikërisht mastat që kemi propozuar në strategjinë në fjalë, do të propozohen edhe gjatë Grupit Punues sepse besojmë që me zbatimin e disa masave paralelisht, gjendja e rëndë e shumë qenve në rrugë, do të mund të përmirësohej brenda 5-7 vitet e ardhshme. Në fillim duket gjatë, por marrë parasysh që kjo gjë është injoruar tash e 20 vite, të gjitha proceset e tilla institucionale duhet të mirëpriten dhe të kërkohet sa më shumë, që jeta dhe mirëqenia e kafshëve të rrugës të përmirësohet dhe që numri i qenve në rrugë të reduktohet njerëzishëm dhe në mënyrë të qëndrueshme.
Sipas vendimit në fjalë, MAPL ka përcaktuar se hartimi dhe finalizimi i draftit të analizës së masave të nevojshme për menaxhimin dhe kontrollin e qenve (endacak) në Kosovë, duhet të bëhet më së largu deri më 31.03.2022
Po ashtu, vlen të theksohet se organizata Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, është po ashtu pjesë e Komitetit Drejtues të projektit të BE-së “Support to establishing disease surveillance and control programs and alignment with Chapter 12 of the acquis” që do të zbatohet në nga kontraktorët e zyrës së BE-së në Kosovë, në bashkëpunim me AUV-në. Projekti në fjalë parasheh po ashtu ndryshimet ligjore dhe mbështetjen e regjistrimit të qenve me mbajtës (pronar). Organizata jonë do të mundohet që të jap kontributin e saj për të përshpejtuar regjistrimin e qenve me mbajtës dhe për të ndryshuar aktet nënligjore që janë shumë të rëndësishme që të zbatohen masa strikte për mbajtjen e përgjegjshme të kafshëve shoqëruese dhe për të parandaluar blerjet e shfrenuara dhe braktisjet e sigurta.
Ne presim që institucionet në fjalë t’i organizojnë këto takime ndër-institucionale sa më shpejtë dhe të ndërmarrin masa konkrete për zgjidhje afatgjate të këtij problemi, sepse që një kohë të gjatë, tema e mirëqenies së kafshëve në Kosovë, injorohet vazhdimisht dhe premtimet mbetnin vetëm në letër.
Se çfarë do të bëhet më shumë, do të ju njoftojmë në hapat e radhës.