Organizata jonë është e përkushtuar për të adresuar rastet e mizorisë së kafshëve duke paraqitur ankesa penale të mbështetura nga prova të vlefshme. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se përgjegjësia e kallëzimit të veprave penale nuk është vetëm e organizatës sonë, por edhe e çdo qytetari. Ne e pranojmë se kapaciteti ynë për të raportuar çdo rast të mizorisë së kafshëve është i kufizuar, dhe për këtë arsye, ne mbështetemi në përfshirjen aktive të individëve të interesuar në raportimin e incidenteve të tilla tek agjencitë e zbatimit të ligjit, si Policia dhe Prokuroria Themelore. Është thelbësore që një numër më i madh i qytetarëve të marrin pjesë në këtë përpjekje për të siguruar rezultate të shpejta dhe efektive.
Është e rëndësishme të theksohet se keqtrajtimi i kafshëve është rreptësisht i ndaluar sipas nenit 346 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, kushdo që është dëshmitar i keqtrajtimit të kafshëve ka detyrimin ligjor për të raportuar incidentin tek autoritetet kompetente. Mos raportimi i një krimi të tillë është, në vetvete, një vepër penale.
Për t’ju ndihmuar në paraqitjen e një ankese penale për mizori ndaj kafshëve, ne kemi dhënë udhëzime për hapat e nevojshëm më poshtë.
Ne ju bëjmë thirrje që të bashkoheni me ne për të mbrojtur mirëqenien e kafshëve duke raportuar menjëherë çdo abuzim që ato durojnë. Kontributi juaj mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm në jetën e tyre.
Komente shtesë rreth hapave të përshkruar në foton më poshtë:
Hapi 1:
Nëse gjatë bisedës në telefon me Policinë, ajo tenton që t’ua injorojë apo neglizhojë raportimin, ju mund të kërkoni emrin dhe mbiemrin e folësit, që të adresoni tutje ankesën tuaj për zyrtarin policor në Inspektorati Policor i Kosovës.
Hapi 2:
Nëse gjatë raportimit tuaj në stacionin policor injoroheni, mund t’i drejtoheni Inspektoratit Policor të Kosovës. Nëse nuk dini emrin dhe mbiemrin e zyrtarit/ës policor/e, mund ta shkruani numrin identifikues të zyrtarit/ës që e kanë në unfirmomë, në të dy krahët. Me atë numër, mund ta raportoni punën neglizhente.
Gjithmonë rikujtoni Policisë se keqtrajtimi i kafshëve, helmimi i ujit dhe ushqimit të tyre, luftërat apo garat mizore me kafshë dhe aktet seksuale me kafshë (zoofilia) konsiderohen vepra penale sipas nenit 346 të Kodit Penal. Policia është e obliguar që ta raportojë rastin tutje tek prokurori kujdestar i rastit dhe t’ua jap një numër të rastit.
Nëse keni nevojë për informata shtesë, na shkruani në info@animalrights-rks.org duke na treguar rastin, stacionin policor dhe komunën ku është neglizhuar apo injoruar rasti.
Faleminderit që kujdeseni për kafshët dhe raportini keqtrajtimin ndaj tyre! Kafshët kanë nevojë për ne!