Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Njëri nga anëtarët e organizatës tonë, i shoqëruar nga drejtoresha e organizatës StrayCoCo, znj. Helen Wormser, gjatë këtyre ditëve është në Zvicër dhe ka takuar entitete të rëndësishme për të shkëmbyer përvojat më të mira sa i përket strehimit të qenve dhe mbështetjen e nëvojshme institucionale dhe shoqërore që kërkon strehimi i mirëfilltë dhe i qëndrueshëm i kafshëve.

Organizata jonë vazhdimisht informohet mbi praktikat më të mira të shteteve të tjera që menaxhojnë mirë dinamikën e qenve dhe kafshëve shoqëruese në përgjithësi. Të gjitha njohuritë tona vazhdimisht përcillen tek autoritetet kompetente që të bëhet menaxhim serioz dhe profesional i dinamikave të qenve me mbajtës/pronar dhe atyre të rrugës.
Arif Aliu, ka vizituar strehimoren e kafshëve “Strubeli” në Zvicër, për t’u informuar më hollësisht rreth punës së kësaj strehimoreje.

Gjatë kësaj vizite, stafi i strehimores, konkretisht, znj. Athina Löhrer, na njoftoi rreth punës në këtë strehimore, proceseve të trajtimit të kafshëve, adoptimeve, dhe kostove për të mbajtur një strehimore të mirëfilltë, që strehimi në qendrat e përkohshme apo qendrave shpëtuese të bëhet sa më i vetqëndrueshëm. Znj. Löhrer ka qenë edhe në Kosovë para disa viteve dhe ka një përvojë të madhe sa i përket fushës së përkujdesjes së kafshëve të strehuara në strehimore.

Kjo vizitë ishte shumë e rëndësishme, pasi që një strehimore si “Strubeli” në Zvicër, duhet të jetë shembull edhe për strehimoret në Kosovë, se si duhet të punohet në mënyrë që të respektohet mirëqenia e kafshëve në strehimore.

Organizata jonë, është pjesë e grupit punues për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) 04/2017, për të përfshirë edhe rregullimin ligjor të strehimoreve në Kosovë. Strehimoret në Kosovë kanë nevojë që të përmirësohen (sigurisht edhe me mbështetje institucionale nëse janë kompetente të operojnë) dhe të tregohen efikase në punën e tyre. Puna ad hoc dhe jo e sistematizuar e çfarëdo qendre të shpëtimit apo strehimoreje, nuk do të ndihmojë situatën e përgjithshme të mirëqenies së kafshëve por vetëm do të krijojë iluzione të gabuara në shoqëri, duke bërë të mendohet që vetëm me strehimin e kafshëve të rrugës, mund të zgjidhet situata e vështirë e shumë qenve të rrugës në vendin tonë.

Të gjithë e dimë që të gjitha kafshët e rrugës duhet të gëzojnë të drejtën e strehimit dhe të mos vuajnë nga shumë rreziqe në rrugë por gjithsesi strehimi i kafshëve endacake duhet të bëhet vetëm nëse burimet e problemit të shumimit dhe shtimit të qenve në rrugë përmirësohen. Do të thotë, të gjitha masat e propozuara në strategjinë tonë duhet zbatuar që edhe qendrat e shpëtimit (me programe të qëndrueshme për adoptime) të funksionojnë siç duhet.

E falenderojmë jashtëzakonisht stafin e “Strubeli” dhe znj. Löhrer për pritjen dhe për shkëmbim të njohurive rreth menaxhimit të një strehimoreje dhe znj. Wormser që asnjëherë nuk ndalet së ndihmuari në Kosovë, vetëm për të mirën e mirëqenies së kafshëve dhe njerëzve në vendin tonë.

Për të parë fotot nga kjo vizitë, vizitoni këtë LINK.