Më 17 dhjetor, organizata jonë ka takuar Kryetarin e ri të Prishtinës për të diskutuar rreth masave që duhet ndërmirren në nivel komunal që në njërën anë gjendja aktuale e qenve në kryeqytet të kontrollohet dhe menaxhohet, dhe në anën tjetër të mendohet për realizimin e masave afatagjate në këtë drejtim.
Pararelisht regjistrimit të qenve me mbajtës/pronarë dhe kontrollit të rreptë të mbarështimit dhe shitjes, si dy nga masat kryesore, është diskutuar edhe strehimi i mirëfilltë i qenve të rrugës. Ne kemi potencuar si gjithmonë që strehimi i kafshëve të rrugës, pa u fokusuar edhe në burimet e problemit, përveç kostos së lartë, nuk do të ketë aspak efekt nëse numri i qenve në rrugë vazhdon të rritet.
Projektet e kapjes, sterilizimit, vaksinimit dhe lëshimit (KSVL) duhet të jenë aktive gjatë tërë kohës në çdo komunë të Kosovës që të paktën të kontrollohet shumimi i qenve të rrugës. Momentalisht, duke qenë që shumica e komunave nuk kanë projekt aktiv të KSVL-së dhe duke mos pasur as projekt shtetëror për këtë çështje, numri i qenve endacak vazhdon të rritet.
Kryetari Rama na dëgjoi me vëmendje dhe siguroi bashkëpunim serioz me shoqërinë civile të kësaj fushe, që çështja e menaxhimit jo të duhur të qenve me pronar dhe të qenve endacak të përmirësohet dukshëm në 5 vitet e ardhshme.
Të gjitha masat që kemi diskutuar janë pjesë e Masave Komunale për Menaxhimin Efektiv dhe të Qëndrueshëm të popullsisë së qenve endacak.