Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Më poshtë mund të gjeni një intervistë televizive në Kohavision, ku shpjegojmë mbi rëndësinë e zbatimit të masave të qëndrueshme të menaxhimit të popullsisë së qenve në Kosovë.

Kur themi ‘popullsia e qenve’ nënkuptojmë si qentë me mbajtës/pronar, po ashtu qentë endacak.

Zgjidhja e qenve endacak arrihet vetëm atëherë kur bëhet kontrolli dhe menaxhimi i qëndrueshëm i qenve si kafshë shoqëruese, do të thotë, menaxhim i mirëfilltë i qenve me mbajtës/pronar si dhe mbarështimi & shitja e qenve në Kosovë.

Shumë nga kryetarët e komunave, u kanë premtuar qytetarëve strehimore për qen duke mos ditur çfarë përgjegjësie kërkon ai premtim.

Strehimoret e qenve mund të ndërtohen vetëm nëse zbatohen seriozisht masat e tjera të qëndrueshme dhe humane për këtë çështje.

Qytetarët të mos mashtrohen me premtimin që “nuk do të ketë më qen endacak” në komunat e tyre, sepse gjithmonë do të ketë qen endacak përderisa burimi i problemit të qenve endacak injorohet vazhdimisht.

Në anën tjetër, ne si organizatë do të qëndrojmë shumë vigjilent ndaj çdo projekti që bëhet nga Komunat e Kosovës për të siguruar që nuk po krijohen ‘kampe të vdekjes’ për qentë endacak. Pse e themi këtë, vjen nga fakti që Komunat nuk ndajnë as buxhet për projekte të KSVL-së (edhe nëse ndajnë, shumat janë të vogla dhe nuk arrijnë efektin e dëshiruar), andaj nuk besojmë që do të rregullohen strehimore të mirëfillta për qentë endacak me pak buxhet dhe pa vizion të qartë.

Strehimi i qenve është i nevojshëm, por duhet të bëhet me shumë kujdes dhe me një plan të menduar jashtëzakonisht mirë.