Po fillon kampanja informuese për mbajtje të përgjegjshme të qenve si kafshë shoqëruese.
Organizata jonë, së bashku dhe me financimin e organizatës StrayCoCo, ka filluar fushatën vetdijësuese për qytetarët e Kosovës.
Kjo kampanjë, fillimisht do të fokusohet në përçimin e mesazhit kundër braktisjes së qenve, si dhe regjistrimin përmes mikroçipit të qenve me mbajtës/pronarë si obligim ligjor i të gjithë pronarëve/mbajtësve të qenve si kafshë shoqëruese në Kosovë.
Përveç kësaj, kampanja do të promovojë edhe kastrimin/sterilizimin e qenve, si metoda më humane për parandalimin e lindjeve të padëshiruara të këlyshëve, që si pasojë pastaj ka braktisjen e këtyre këlyshëve në rrugë.
Braktisja e qenve dhe mbarështimi i pakontrolluar, janë burimet kryesore të shtimit të numrit të qenve në rrugë, prandaj përmes kësaj kampanje synojmë që të shpërndajmë mesazhin e mbajtjes së përgjegjshme të qenve, si dhe obligimet ligjore të mbajtësve/pronarëve të qenve për kafshët e tyre.
Përveç billbordëve, kampanja do të promovohet edhe përmes posterave, broshurave, rrjeteve sociale dhe me shpresë edhe në mediat televizive. Materialet promovuese do të tentojmë t’i shpërndajmë nëpër të gjitha institucionet relevante publike, sidomos në bashkpunim me komunat e Kosovës.
Për të mësuar më shumë rreth mbajtjes së përgjegjshme të qenve si kafshë shoqëruese, vizitoni linkun: https://www.animalrights-rks.org/resurset/mbajtja-e-pergjegjshme-e-qenve/