Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë, me shqetësim të madh ka pranuar ankesa dhe video dëshmi se si strehimorja/OJQ e ashtuquajtur “Prishtina Dog Shelter” ka grumbulluar qen të shëndoshë, jo agresiv dhe të trajtuar (kastruar, sterilizuar dhe vaksinuar kundër tërbimit) pa asnjë arsye, duke ia ndërruar qenve vendin dhe duke i shfrytëzuar ata për përfitime personale të strehimores.

Strehimorja në fjalë menaxhohet nga njerëz jo kompetent të cilët nuk kanë asnjë plan të qëndrueshëm për qentë që mbajnë dhe veprojnë pa i lajmëruar organet kompetente për qentë apo kafshët që mbajnë.

Strehimorja, po ashtu OJQ-ja, ‘Prishtina Dog Shelter’ ka kohë që merr qen dhe kinse iu ndihmon atyre por shpesh kemi pasur raste (dhe deshmi të njerëzve dhe OJQ-ve që kanë tentuar t’i ndihmojnë siç duhet) që qentë që mbahen për një kohë të gjatë aty, lirohen në vende krejtësisht të ndryshme nga vendi ku janë marrë dhe për të cilët strehimorja nuk ka asnjë mekanizëm monitorues të mëtejmë.

Strehimorja në fjalë bën çfarë të dojë me qentë dhe është me të vërtetë shqetësuese se si funksionojnë shumica e strehimoreve në Kosovë.

Në vitet e fundit, dy strehimore private (që po ashtu janë regjistruar si organizata jo qeveritare) kanë vullnet dhe tendencë për t’u përmirësuar dhe për të bërë një punë transparente, sepse me të vërtetë kanë ndjeshmëri dhe dashuri për qentë. Gjithsesi që organizata jonë mundohet t’i ndihmojë strehimoreve që kanë vullnet për të bërë punë të mirëfilltë, për të mirën e qenve që mbajnë.

Në të kundërtën, strehimorja/OJQ ‘Prishtina Dog Shelter’, dhe strehimorja ‘Katër Putrat’ në Ferizaj nuk kanë pranuar ndihmë nga asnjë organizatë dhe individë serioz që janë munduar t’iu ndihmojnë me trajtimet mjekësore dhe me adoptime të qenve. Strehimoret e keqmenaxhuara shfrytëzojnë situatën që të mbesin gjithmonë në një gjendje tmerruese sepse kanë kuptuar që ashtu mund të përfitojnë më shumë duke u viktimizuar dhe duke abuzuar mirësinë e njerëzve që nuk jetojnë në Kosovë dhe që financojnë, pa ditur të vërtetën e plotë.

Po ashtu, “Prishtina Dog Shelter”, ka injoruar ftesën e kryetarit të Prishtinës (me datë 28 janar 2022), për t’u takuar rreth kësaj situate, por ka ndërmarrë veprime krye në vete, pa u dakorduar me asnjë institucion. Shtrohen pyetjet:

  • Pse disa individëve po ju pengon koordinimi ndër-institucional që kjo çështje të adresohet nga rrënjët e problemit?
  • A nuk është pikërisht angazhimi serioz institucional ajo që aktivistët kërkojnë për vite të tëra?
  • A nuk është mirëqenia e kafshëve në thelb të punës dhe angazhimit të tyre, ashtu siç kanë proklamuar me vite të tëra?

Kjo neglizhencë e disa individëve, së bashku me veprimet që ndërmarrin, ngrit dyshime për punën e tyre dhe e vë jashtëzakonisht në pikëpyetje qëllimin e punës së tyre për të mirën e kafshëve.

Organizata jonë ka raportuar (jo për here të pare) strehimoren “Prishtina Dog Shelter” dhe ka kërkuar kësaj here nga inspektorët që:

  1. Të kthehen qentë e Gërmisë aty ku janë marrë
  2. Të kërkohet dëshmi të trajtimit mejkësor-veterinar për secilin qen dhe të raportohet ne AUV dhe Komunë kur qentë lëshohen në rast të trajtimit të përkohshëm të tyre.
  3. Të regjistrohen të gjithë qentë e strehimores (dhe jo vetëm të Prishtina Dog Shelter, por të gjitha)
  4. Të kontrollohet kjo (dhe të tjerat) strehimore çdo muaj që të sigurohet mirëqenia e plotë e kafshëve që strehojnë.
  5. Të kërkohet nga “Prishtina Dog Shelter” që të kontakojë me operatorin ekonomik të kontraktuar nga Komuna e Prishtinës, për të sterilizuar qentë e rrugës, për të cilin shërbim tashmë ka kontratë active në Komunën e Prishtinës.

Inspektorët e AUVK-së kanë raportuar që sot janë liruar qentë që janë marrë nga parku I Gërmisë por ende nuk kemi foto apo dëshmi dhe deri sa të kthehen të gjithë qentë në vendin e tyre, nuk do të ndalemi. Nëse menaxheri i strehimorës nuk kthen qentë, ne kemi mbledhur mjaftë dëshmi të punës së tij neglizhente dhe do të veprojmë sipas ligjit në fuqi për dyshime të bazuara të keqtrajtimit të kafshëve apo shfrytëzimit të tyre për interesa personale.

Strehimoret që mbajnë qen/kafshë për një kohë të gjatë dhe pastaj i lirojnë prapë në rrugë, do të raportohen nga organizata jonë tek organet përgjegjëse në bazë të Ligjit për Përkujdesjen ndaj Kafshëve dhe Ligjit për Veterinarinë, ngaqë kafshët e shkreta do të rrezikohen në rrugë nga veturat dhe njerëzit pasi që gjatë gjithë jetës së tyre kanë jetuar në një strehimore dhe nuk kanë përvojen e duhur t’I kthehen jetës në rrugë. Qentë që merren në strehimore apo nën përkujdesje duhet të mbahen deri sa të gjinden adoptuesit dhe t’iu sigurohet mirëqenia e plotë.

Strehimorja ‘Prishtina Dog Shelter’ dhe asnjë tjetër nuk mund të marr qen deri sa t’i mbushin llogaritë e tyre bankare që pastaj ata qen të lirohen në rrugë pa mëshirë dhe duke cenuar dukshëm mirëqenien e tyre.

Fatkeqësisht, deri më tani, strehimoret në Kosovë, kanë funksionuar me mjete vetanake dhe nga donacionet e njerëzve vullnet-mirë, pasi që institucionet e shtetit asnjëherë nuk kanë ndërmarrë hapa për të sistematizuar dhe mbështetur punën e strehimoreve serioze dhe të mirëfillta, së paku për rastet të cilat kërkojnë trajtim urgjent.

Që ka munguar kontrolli institucional, e dëshmon edhe fakti që kushdo në Kosovë, mund të marrë iniciativë për të hapur strehimore, dhe të bëjë çfarë të dojë me kafshët që strehon dhe fondet që merr, pa njoftuar asnjë autoritet shtetëror për punën e tyre.

Pa dyshim që nuk vihet në pikëpyetje vullneti dhe dëshira e disa personave që të ndihmojnë kafshët, por, në anën tjetër, çdo punë dhe veprim që bëhet duhet të jetë transparente dhe profesionale për të mirën e vet kafshëve dhe njerëzve.

Për më tepër, qytetarët shpesh janë gënjyer, dhe vazhdojnë të gënjehen (si nga instituciuonet ashtu nga individë të ndryshëm), që strehimoret e qenve janë e vetmja zgjidhje. Kjo nuk është aspak e vërtetë, e që kjo dëshmohet edhe nga dhjetëra e qindra ekspertë të kësaj fushe, që strehimoret janë vetëm një hallkë e një sistemi shumë më të gjërë. Pra, dikujt i konvenon që shteti të investojë VETËM në strehimore, kur është dëshmuar tashmë që vetëm strehimoret nuk mund ta zgjidhin këtë problem.

Edhe sikur të strehohen të gjithë qentë që janë momentalisht në rrugë, për pak kohë, do të kemi prapë qen në rrugë, pasi që burimi i problemit nuk po adresohet, e që është 1) braktisja e qenve nga mbajtës (pronar) të papërgjegjshëm dhe 2) mbarështimi i pakontrolluar i qenve. Pa u fokusuar në këto burime të problemit, çfarëdo mase tjetër që ndërmirret nuk do të jetë e qëndrueshme dhe e suksesshme për zvogëlimin e numrit të qenve në rrugë.

Për fund ju rikujtojmë që organizata jonë në propozimin për Strategji Kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve me dhe pa pronar, ka përfshirë edhe mbështetjen për strehimoret aktuale që bëjnë punë të mirëfilltë, por patjetër që kjo duhet të bëhet me parime të transparencës, profesionalitetit dhe llogaridhënies.

Falënderojmë AUV-në për ndërhyrjen dhe vizitën inspektuese dhe kërkojmë që AUV të inspektojë të gjitha strehimoret në Kosovë pasi edhe Udhëzimi i ri Administrativ të jetë në fuqi për kriteret dhe kushtet e strehimoreve.