Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë, shpesh pranon lajmërime nga qytetarët për qen “agresiv” në lagjet e tyre. Shumë nga këto raste, nuk kanë të bëjnë me agresivitet, por thjeshtë, me keqinterpretim të sjelljeve të qenve.

Një nga këto raste, kishim rastin ta analizonim për së afërmi, ku kemi pranuar raportime për një qen “agresiv” që po shqetësonte banoret e lagjes. Ajo çfarë pamë, ishte krejtësisht e kundërta.

Pamë një qenushe të frikësuar, të koncentruar shumë për të mbrojtur 5 këlyshat e vet, nga rreziqet e jetës në rrugë.

Edhe pse fillimisht qenushja filloi të lehte në drejtimin tonë, me përkujdesje të treguar ndaj saj dhe këlyshëve, dhe duke i ushqyer, qenushja u ofrua shumë me ne, dhe ushqehej nga duart tona. Me pak minuta përkujdesje dhe mirësi, sjelljet e qenushes edhe ndaj njerëzve të tjerë u përmirësuan dukshëm.

Patjetër që nuk mund të mohohet që ka edhe raste të qenve që me të vërtetë kanë treguar agresivitet, mirëpo në të shumtën e rasteve, kemi të bëjmë me keqinterpretim të sjelljeve të qenve të gjorë, të cilët nuk kërkojnë asgjë më shumë se pak ushqim dhe të mos abuzohen nga njerëzit.

Komuniteti patjetër që duhet të angazhohet për përkujdesjen e qenve në rrugë, duke ofruar së paku ushqim dhe ujë për ta, dhe të mos i keqtrajtojnë por të tregojnë mirëkuptim dhe dhembshuri.

Në anën tjetër, qytetarët nuk mund të fajësohen për shkak të mungesës së informatave për sjelljet dhe natyrën e qenve, pasi që institucionet nuk kanë ndërmarrë kurrë asgjë dhe nuk kanë organizuar asnjë kampanjë informuese për t’i informuar qytetarët qoftë për projektet për trajtimin e qenve të rrugës, qoftë për të promovuar përkujdesjen ndaj kafshëve dhe mbajtjen e përgjegjshme të tyre.

Sjelljet e qenve ndaj njerëzve janë direkt të lidhura me sjelljet e njerëzve ndaj qenve, prandaj ne si shoqëri dhe si specie më intelegjente, duhet të ndryshojmë sjelljet ndaj kafshëve në rrugë, dhe bashkarisht të ofrojmë përkujdesje me aq sa kemi mundësi, për të kontribuar në një bashkëjetesë pa incidente në mes të njerëzve dhe kafshëve.

Videon e plotë, mund ta gjeni KËTU.