Në ditën botërore të botës së egër, së bashku me Komisionin Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim dhe PYLLI I ARINJVE Prishtina, nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për përmirësimin dhe avancimin e kornizës ligjore dhe politikbërëse për tregtinë e paligjshme të kafshëve të egra, si dhe për mbrojtjen dhe konservimin e specieve të egra dhe ngritjen e vetëdijes për ruajtjen e biodiversitetit në Republikën e Kosovës.
Përmes këtij bashkëpunimi, të tri palët do të angazhohen për të përmbushur objektivat në vijim:
– Identifikimin e mangësive dhe diskrepancave ligjore në legjislacionin aktual
– Propozimin e ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore për mbrojtje të kafshëve
– Propozimin e projektligjeve në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të BE-së
– Angazhimin në anëtarsimin e Republikës së Kosovës në Konventën CITES, mbi Tregtinë Ndërkombëtare të Specieve të Rrezikuara të Florës dhe Faunës dhe përmbushjen e obligimeve të kësaj konvente;
– Organizimin e fushatave ndërgjegjësuese për mbrojtje të kafshëve të egra dhe habitateve të tyre
E falenderojmë shumë kryesuesen e Komisionit Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, znj. Fitore Pacollin, për gatishmërinë për bashkëpunim për përmirësim të politikave të mbrojtjes së kafshëve të egra në Kosovë dhe mezi presim të bashkëpunojmë që të shtyjmë përpara proceset e përfshirjës në CITES dhe të mbrojtjes ligjore të botës së egër në Kosovë, pasi që është jashtëzakonisht e nevojshme.
Shumë shpejtë ndërmarrim edhe hapa të tjerë konkret dhe presim vepra konkrete edhe nga institucionet tjera gjegjëse për parandalimin e robërimit të kafshëve të egra dhe tregëtisë jashtëligjore dhe të pa kontrolluar të tyre.