Sipas disa deklaratave të zyrtarëve komunal, kemi kuptuar që Komuna e Prishtinës ka ndarë 10 hektarë tokë për të ndërtuar një strehimore të qenve endacak por për të cilën ende nuk ka detaje konkrete të planifikuara se si do të duket dhe si do të funksionojë kjo strehimore.
Sipas takimeve që kemi pasur me Komuna e Prishtinës, e gjithë ekipa e Kryetarit është zotuar që strehimi i qenve endacak në kryeqytet, nuk do të bëhet në mënyrën tradicionale ku të gjithë qentë do të mbyllen që pastaj ose të adoptohen ose të eutanazohen dhe ne jemi në pritje të detajeve të asaj strehimoreje në takimin e ardhshëm ndër-institucional, që është themeluar nga Komuna e Prishtinës, dhe ku edhe organizata jonë është anëtare.
Ne shpresojmë që çfarëdo qendre apo strehimore që do të ndërtohet, të jetë me koncept të vet-qëndrueshmërisë dhe me konceptin e promovimit të adoptimit të qenve dhe sigurisë së fondeve të veçanta për përgatitjen e qenve për adoptim dhe një jetë dinjitoze. Strehimorja që planifikohet të ndërtohet duhet të ketë plan të mirëfilltë të financimit të sigurtë që të mos rrezikohet jeta dhe mirëqenia e qenve që do të strehohen aty, në asnjë moment.
Momentalisht, Kosova nuk ka bazë ligjore që rregullon strehimin e kafshëve të pa streha, por që së shpejti do të aprovohet një Udhëzim Administrativ për kushtet teknike të strehimoreve në kuadër të grupit punues të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, në të cilin edhe organizata jonë është pjesë.
Kryetari Perparim Rama dhe ekipi i tij janë treguar mjaft bashkëpunues deri me tani me organizatën tonë dhe kanë hapur dyert për të gjitha organizatat dhe individët e interesuar në monitorimin e të gjitha projekteve që ndërmerr Komuna. Ne do të jemi afër këtyre proceseve, për të siguruar që ndërtohen vetëm vend-strehime të qëndrueshme dhe humane për kafshët endacake.
Vlen të theksohet se strehimi i kafshëve endacake në këtë periudhë kohore, nuk do ta përmirësoj gjendjen e qenve të rrugës por gjithsesi do të ndihmojë për rastet e rënda të lëndimeve të kafshëve të rrugës. Për t’u zvogëluar numri i qenve të rrugës, duhet të punohet edhe në regjistrimin e qenve dhe ndëshkimin e braktisjeve, kontrollin e mbarështimit dhe shitjes dhe inspektime serioze nga inspektorët veterinar për mbajtjen e përgjegjshme të kafshëve në Kosovë. Për më shumë mbi këto masa: https://bit.ly/3kkw6H2
Gjithsesi që me hapjen e një strehimoreje të mirëfilltë dhe me aprovimin e legjislacionit adekuat, do të mund të mbyllen strehimoret jashtëligjore, të cilat nuk kanë kapacitete të mjaftueshme humane dhe as financiare për të siguruar mirëqenie të plotë kafshëve që strehojnë.
Për çdo hap lidhur me këtë aspekt, do të njoftoheni nga ne.