Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Transparencë dhe bashkëpunim për projektet me qentë endacak në komunën e Shtimes.

Pas shumë ankesave të organizatës tonë ndaj komunave në rajonin e Ferizaj për mungesë të transparencës në trajtimin e qenve endacak, sot, komuna e Shtimes ka vendosur që të jetë bashkëpunuese dhe transparente sa i përket projekteve të KSVL-së dhe projekteve të tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe kontrollin e numrit aktual të qenve endacak në komunën e Shtimes.

Bashkë me shefen e kabinetit të kryetarit të Shtimes, znj. Edita Fazliu-Zeqiri, dhe drejtorin për zhvillim ekonomik, z. Kastriot Shabani, nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit për avancimin e mirëqenies së kafshëve në komunën e Shtimes, si dhe ndërmarrjes së masave të qëndrueshme për menaxhim të popullsisë së qenve me dhe pa mbajtës (pronar).

Përmes këtij bashkëpunimi, organizata jonë do të mbështesë komunën në monitorimin e projekteve të KSVL-së në Shtime, si dhe do të njoftojë komunën për çdo vizitë monitoruese të realizuar në projektet e ndërmarra nga komuna.

Përveç aktiviteteve monitoruese, organizata jonë do të mbështesë komunën edhe në hartimin e rregulloreve për menaxhim të kafshëve shoqëruese me dhe pa mbajtës (pronar), si dhe do të asistojë komunën edhe në përgatitjen e fushatave vetdijësuese që kanë për qëllim rritjen e mirëqenies së kafshëve.

E falenderojmë komunën e Shtimes për gatishmërinë për të bashkëpunuar me shoqërinë civile dhe qytetarët për zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive në rastin e qenve të rrugës në Kosovë, pasi që vetëm me një punë transparente dhe të qëndrueshme mund të vijmë tek zgjidhjet afatgjate.