Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Komuna e Prishtinës ka filluar zbatimin e planeve për shtimin e pikave ushqyese për qentë e rrugës.

Ushqyerja dhe kontrolli i qenve në rruge duhet të sistematizohet mirë në mënyrë shtetërore, sipas rrjetit ICAM – the International Companion Animal Management Coalition, por gjithsesi duhet po ashtu projekte aktive të kastrimit dhe sterilizimit që shumimi i tyre të parandalohet në mënyrë sa më efektive.

Me ushqyerjen e rregullt të kafshëve të rrugës, parandalohet bredhja e tepërt e qenve në vende me frekuentim të madh nga njerëzit, sepse kafshët endacake më së shumti bredhin poshtë e lartë, vetëm pse janë të uritur dhe kërkojnë ushqim dhe ujë. Mos të harrojmë që mbeturinat në secilin cep të qytetit duhet të mblidhen me rregull që të mos jenë joshëse për kafshët e rrugës.

Mund të kuptojmë që shumë persona edhe ankohen për këtë çështje sepse dëshirojnë që sa më parë të shohin qytetin (dhe shtetin) pa asnjë qen endacak. Gjithsesi që një shtet pa kafshë endacake është edhe qëllimi i punës tonë, sepse edhe vet kafshët e rrugës janë viktimë e një jete të keqe dhe në rrezik.

Ushqyerja e kafshëve të rrugës nuk duhet të konsiderohet si masë e vetme për problemin. Ushqyerja është vetëm një masë e një koncepti më të gjërë strategjik për të pasur një shtet pa asnjë qen endacak.

Kur të ndalet dhe menaxhohet burimi i problemit, siç është shtimi dhe i shumimi i qenve në rrugë, duhet të mendohet pastaj për qendra të mirëfillta strehuese sipas akteve ligjore që do të aprovohen për këtë qëllim.

Të gjitha këto masa duhet të zbatohen nga të gjitha komunat njëkohësisht, andaj nuk duhet të presim mrekullira vetëm nga një komunë. Në anën tjetër, niveli qendror duhet të ndihmojë sa më shumë në këtë aspekt. Pa e trajtuar seriozisht çështjen e qenve endacak në nivel vendi, nuk do të përmirësohet situata.

Komunat e tjera duhet të angazhohen sa më shumë që puna e tyre rreth trajtimit të qenve endacak të jetë transparente dhe efikase duke mos keq-menaxhuar me paranë publike.

Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve endacake duhet të bisedojnë më shumë me fqinjtë e tyre dhe t’i vetdijësojnë që të mos tregojnë sjellje agresive ndaj qenve, për të siguruar një bashkëjetesë të qetë mes njerezve dhe qenve (dhe maceve) të rrugës.

Për fund, komuniteti, do të thotë qytetarët, duhet të ndihmojnë që kjo situatë të zbutet dhe të përmirësohet në pesë vitet e ardhshme duke mos i keqtrajtuar kafshët, duke i lajmëruar braktisjet e reja të qenve, duke lajmëruar keqtrajtimet dhe po ashtu duke lajmëruar qentë që potencialisht janë agresiv.