Edukimi i fëmijëve për respektimin e kafshëve është shumë i rëndësishëm për të kuptuar nevojat dhe sjelljet e kafshëve, rrjedhimisht për të siguruar një marrëdhënie të shëndoshë dhe humane në mes njerëzve dhe kafshëve.
Raportet njeri – kafshë, e sidomos në raport me kafshët shoqëruese si qeni, varen tërësisht nga sjelljet e njerëzve ndaj këtyre kafshëve, prandaj fushatat për ngritje të vetëdijes rreth mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve, janë më se të nevojshme.
Të gjithë njerëzit, e sidomos fëmijët, duhet të kenë mundësinë që të informohen se si të sillen në prani të kafshëve në rrugë por edhe në prani të kafshëve me mbajtës (pronar), pasi që sjelljet e duhura dhe trajtimi i mirë i kafshëve eviton edhe incidentet potenciale në mes të kafshëve dhe njerëzve.
Në anën tjetër, veterinerët si profesionistë të fushës, duhet të angazhohen aktivisht për të promovuar mbajtjen e përgjegjshme të kafshëve si dhe kujdesin ndaj tyre.
E falenderojmë shumë organizatën StrayCoCo dhe veterinerët e saj partnerë, për iniciativën e nevojshme për ligjërata dhe edukim në shkolla mbi trajtimin e duhur të qenve dhe krijimit të një raporti të mirë me ta.