Xhirimi publik i mëposhtëm është marrë nga TikTok dhe shihet qartë se djemtë (ndoshta edhe të mitur) qëllimisht ndjekin qentë dhe i acarojnë ata pa asnjë arsye dhe nevojë.
Qentë, si shumica e kafshëve, kanë instikt të fortë të dallojnë rrezikun që u kanoset dhe sjelljet negative, abuzive dhe urryese të njerëzve apo rrethit ku jetojnë, andaj edhe shpesh bëhen agresiv sidomos në lagjet apo vendet ku më së shumti abuzohen apo traumatizohen.
Ne si organizatë, jemi dëshmitarë të realitetit ku qentë endacak jetojnë të qetë si pjesëtarë të komunitetit, pikërisht sepse kanë përkujdesje nga banorët e lagjes dhe bashkëjetojnë shumë mirë me njerëzit e asaj lagjeje. Duke qenë të mësuar me sjellet e mira të njerëzve, nuk shfaqin agresivitet asnjëherë dhe për këtë ka shembuj të panumërt. Nuk do të thotë që të gjithë qentë e komunitetit janë të afërt dhe luajnë me njerëz por më e rëndësishmja është që nuk sulmojnë, nuk versulen dhe ndjehen të sigurtë me njerëz. Nëse komuniteti bëhet abuziv, gjithsesi që pasojat do t’i vuajnë njerëzit apo fëmijët e pafajshëm që do të kafshohen, sepse ne si shoqëri, lejojmë që personat si këta në video, të bëhen irritues dhe keqtrajtues.
Komuna e Ferizaj është një komunë që ka bërë punë dyshuese me kafshët endacake sepse asnjëherë nuk ka raportuar mbi “kastrimet dhe sterilizimet” që ka bërë që nga viti 2017. Komuna e Ferizaj, bashkë me Komunën e Kaçanikut, Shtërpcës dhe Shtimes, kanë kontraktuar veterinerët e njejtë: Agzon Pajazitin dhe Mexhid Haxhimusa, kinse për t’i trajtuar qentë endacak me metodën KSVL (kapje, sterilizim, vaksinim, lëshim) por që për projektet e kryera nuk ka po thuajse fare raporte dhe as inspektime nga inspektorët veterinerë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk reagon asnjëherë dhe nuk punon në inspektime dhe monitorime të mirëfillëta dhe nga fakti që po këta të njejtit kanë zhagitur procesin e Identifikimit & Regjistrimit tash e sa vite, e kemi këtë situatë të pa kontrolluar të qenve endacak dhe situatën ku njerëzit nuk janë ndërgjegjësuar asnjëherë, përkundër që AUV në vitin 2018 ka ndarë 111.000 euro kinse për vetdijësim dhe anketim të qytetarëve por pa kryer punë fare.
Ne gjithsesi do të ndërmarrim masat e mundshme ligjore për të parandaluar një gjë të tillë dhe do ta njoftojmë Policinë e Ferizaj, që në takimin tonë të fundit kanë shprehur interesim që të bashkëpunojnë për të ndihmuar situatën me qentë endacak.
I bëjmë thirrje të gjithëve që të ndihmojnë në situata të tilla duke biseduar me banorët e lagjes dhe duke parandaluar gjëra të tilla negative.