Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Sot, organizata jonë është kontaktuar Nga një aktivist për të lajmëruar që një qen kishte rënë në një gropë të hapur të kanalizimit në lagjen e tij. Personi zemërgjërë ka dëgjuar herët në mengjes që një qen kishte ngecur diku dhe që kishte nevojë për ndihmë por nuk e ka gjetur atë deri sa rrugën për tek qeni i ngujuar ia kishte treguar një qen tjetër endacak.

Organizata jonë, nga mungesa e kapaciteteve njerëzore dhe financiare, ende nuk merret me ndihma urgjente si rasti në fjalë, por gjithsesi që në shumë raste të tilla apo të lëndimeve të qenve, ndihmon qoftë me ndihmë financiare, qoftë me ndihmë në organizimin e shpëtimit apo ndihmës për raste të caktuara.

Sot, falë ndihmës së zjarrfikësve Vatrogasci Laplje Selo dhe njërës nga anëtarët e organizatës tonë, qeni u ndihmua të dalë nga gropa, edhe pse pa pajisje speciale dhe adekuate për shpëtim. Gropa nuk ishte shumë e thellë për fat të mirë dhe qenshja u nxjerr me sukses.

Ne falenderojmë jashtëzakonisht shumë zjarrfikësit që kanë ndihmuar dhe që janë pranë qytetarëve edhe në rastet ku kafshët kanë nevojë për ndihmë.

Për fat të keq, shërbimet shpëtuese institucionale apo edhe private mungojnë në Kosovë andaj për shumë kafshë, ndihma e vetme është kur njerëzit zemërmirë ndihmojnë me aq sa kanë mundësi dhe kushte në dispozicion.

Organizata jonë punon vazhdimisht që këto shërbime dhe shumë aspekte të tjera, të krijohen brenda komunave të Kosovës apo institucioneve të tjera përgjegjëse, në mënyrë që të krijohet një sistem serioz dhe i besueshëm i shpëtimit dhe mbrojtjes së kafshëve dhe të mos mbetet barra e përgjegjësisë në këto raste (apo edhe të natyrave të tjera) vetëm tek aktivistët apo dashamirësit e kafshëve.

Shpëtimi i kafshëve të rrugës duhet të trajtohet nga institucionet e vendit sepse vetëm duke trajtuar çështjen e qenve endacak me seriozitet (në të gjitha fushat e nevojshme për intervenim), do të shohim përmirësim të situatës.