Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Organizata jonë si pjesë e rrjetit europian të organizatave për mbrojtjen e mirëqenies dhe të drejtave të kafshëve, “Eurogroup for Animals (EFA)” që nga viti 2021, ka marrë pjesë në konferencën e kësaj të fundit dhe në takimin vjetor të të gjitha entiteteve si pjesë e rrjetit EFA.

Si pjesë e këtij grupit janë edhe disa organizata veterinare që punojnë për mirëqenie të kafshëve dhe të drejtat e tyre. Edhe në Kosovë kemi nevojë për organizata të tilla dhe shpresojmë që gjeneratat e ardhshme të veterinarisë do të jenë më të guximshme dhe më të zëshme në mbrojtje dhe trajtim të dinjitetshëm të kafshëve.

Ishte kënaqësi që t’i takojmë partnerët tonë fizikisht për herë të parë dhe të ndajmë përvojat dhe punën tonë që kafshët të gëzojnë respekt dinjitoz dhe mbrojtje sa më të madhe nga të gjitha shtetet në Europë dhe përtej, si Ballkani Përendimor në rastin tonë.

Është diskutuar gjatë konferencës se shumë shtete kanë ende problem me zbatimin e mirëfilltë të legjislacionit aktual dhe nevojën urgjente që shumë ligje dhe aktet të tjera nën ligjore të avancohen për një mbrojtje më të mirë të kafshëve dhe të drejtave të tyre.

Ne jemi të dedikuar që të punojmë që korniza ligjore e Kosovës të përmirësohet dhe të zbatohet me seriozitet nga të gjitha institucionet relevante pasi që kjo është e vetmja zgjidhje për një sistem funksional, proaktiv dhe llogaridhënës në fushën e mirëqenies dhe shëndetit të kafshëve.