Sipas platformës e-prokurimi, aktualisht 14 komuna të Kosovës kanë projekte aktive të KSVL-së (kapje, sterilizim, vaksinim, lëshim). Komunat me projekte aktive të KSVL-së janë: Prishtina, Shtime, Lipjan, Fushë Kosovë, Podujevë, Viti, Obiliq, Dragash, Prizren, Shtërpcë, Kaçanik, Gjakovë, Klinë dhe Istog.
Është lajm i mirë që më shumë komuna kanë projekte aktive të KSVL-së në krahasim me vitet e kaluara, por duhet të theksohet se organizata jonë shqetësohet për faktin se disa projekte nuk janë transparente sa duhet dhe nuk e kanë fare të strukturuar komponentin e monitorimit dhe vlerësimit të këtyre projekteve që ndërmarrin.
I lusim të gjithë qytetarët që të foto-dokumentojnë të gjithë qentë e tyre në lagjet e tyre për të kërkuar llogari nga Komunat apo operatorët ekonomik (veterinerët) kur marrin qen dhe nuk I kthejnë më (i vrasin apo i lirojnë diku tjetër). Vetëm së bashku me ndihmën e juaj ne mund t’i raportojmë veterinerët abuziv dhe komunat që në mënyrë jashtëligjore planifikojnë t’ vrasin apo zhdukin qentë nga komuna e tyre.
Është tejet e rëndësishme që edhe komunat tjera të fillojnë sa më shpejtë me projektet e KSVL-së, për t’u arritur efekti i dëshiruar i parandalimit të shtimit të qenve në rrugë përmes riprodhimit.
Shumë komuna kanë edhe kufizime buxhetore për të zbatuar këto projekte, prandaj bashkëpunimi dhe mbështetja e nivelit qendror për nivelin lokal është thelbësore për menaxhim të mirëfilltë të popullsisë së qenve.
Projektet e KSVL-së duhet të jenë aktive gjatë tërë kohës në të gjitha komunat, por si masë e vetme nuk mund të zgjidhin problemin me qentë në rrugë. KSVL duhet të shoqërohet edhe me masa tjera si: identifikimi & regjistrimi i qenve me pronar, kontrolli i importit dhe shitjes, kontrolli i mbarështimit, edukimi i komunitetit dhe promovimi i adoptimeve të kafshëve.
Organizata jonë do t’i mbështesë komunat me kapacitetet që ka dhe do të kërkojë llogaridhënie, për të vlerësuar dinamikën e popullsisë së qenve, si dhe për të vlerësuar ndërhyrjet në popullsinë e qenve, për t’u siguruar që masat e zbatuara të arrijnë efektet e dëshiruara për reduktimin e numrit të qenve në rrugë në mënyrë humane dhe të qëndrueshme dhe se paraja publike po shpenzohet në mënyrë korrekte.
Gjatë muajve në vijim do të publikojmë edhe raportet e detajuara për punën e komunave në projektet për trajtimin dhe menaxhimin e qenve në rrugë nga viti 2008 e deri më tani.