Organizata jonë është dëshmitare, por edhe ka pranuar shpesh ankesa, për ofendimet dhe paragjykimet që përjetojnë aktivistët që kujdesen për kafshët e rrugës. Në videon më poshtë vërehen qentë duke pushuar dhe papritmas frikësohen dhe shqetësohen nga një grup burrash.
Aktivistja që u ndihmon këtyre qenve është kërcënuar nga Policia që do t’ia marrin qentë por me ndihmën e organizatës tonë, Policia ka kuptuar që nuk mund ta bëjë një gjë të tillë dhe qentë dhe aktivistja që përkujdeset për ta, për momentin nuk ngacmohen.
Më së shumti me këto ofendime dhe paragjykime përballen aktivistet (gratë dhe vajzat), të cilat shpesh veten e lënë keq për t’i ushqyer kafshët e rrugës. Në vend se të falenderoheshin për këtë sakrificë, në fakt kjo ndihmë e tyre për kafshët e gjora në rrugë bëhet shkas që aktivistet të përballen me ofendime dhe kërcënime të ndryshme nga qytetarë të papërgjegjshëm.
Fatkeqësisht, në disa raste, as Policia e Kosovës nuk ka qenë aspak bashkëpunuese, e në fakt, ka pasur raste kur edhe zyrtarë policor të Policisë së Kosovës i kanë kërcënuar aktivistët me “dënime” për shkak që kujdesen për kafshë të rrugës.
Qytetarët duhet ta kuptojnë se aktivistët që përkujdesen për kafshët e rrugës nuk kanë faj pse institucionet e shtetit nuk kanë punuar siç duhet dhe kanë lejuar që numri i qenve në rrugë të rritet në mënyrë të pakontrolluar.
Për shumë kafshë të rrugës, përkujdesja e aktivistëve e bën diferencën në mes të jetës dhe vdekjes. Deri më tani, aktivistët dhe dashamirësit e kafshëve kanë shpëtuar shumë jetë të kafshëve në rrugë, duke mos kursyer as paratë e fundit të tyre për t’iu dalë në ndihmë kafshëve.
Nuk është faji i aktivisteve që kemi kaq shumë qen në rrugë. Nuk ka asnjë aktivist apo dashamirës të vërtetë të kafshëve në Kosovë që kënaqet me situatën aktuale me qentë në rrugë. Qytetarët duhet ta drejtojnë mllefin tek institucionet dhe zyrtarët që paguhen me taksat tona për të zgjidhur këtë problematikë dhe të ndihmojnë në këtë proces po ashtu.
Gjithsesi që ne ju bëjmë thirrje edhe aktivistëve që ushqejnë kafshë të rrugës, që të kujdesen që t’i ushqejnë kafshët e rrugës larg pjesëve me frekuentim të lartë të qytetarëve, e sidomos larg njerëzve që paraqesin rrezik për kafshë dhe për njerëz. Po ashtu, ne ju bëjmë thirrje aktivisteve që çdo kërcënim dhe ofendim ta paraqesin në Polici. Nëse Policia nuk vepron sipas ligjeve në fuqi, mund të na njoftoni organizatën tone dhe do ta ndihmojmë secilën që përmes rrugëve ligjore të kërkohet përgjegjësi nga secili person që nuk e respekton ligjet, përfshirë këtu edhe Policinë e Kosovës.
Një falenderim të madh për të gjithë ata që përkujdesen për kafshët e rrugës dhe që iu qëndrojnë afër në momente të vështira!