Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Në ditën ndërkombëtare të qenve, kujtojmë të gjithë qentë në Kosovë, të cilët braktisen në rrugë nga mbajtës (pronar) të papërgjegjshëm, kujtojmë abuzimet që këta qen përjetojnë në baza ditore dhe ekspozohen ndaj rreziqeve të shumta dhe temperaturave ekstreme, pa asnjë mbrojtje të vetme nga shteti.

Po ashtu, kujtojmë edhe të gjithë qentë që mbahen në kushte të tmerrshme nëpër shtëpi, duke kaluar tërë jetën e tyre të lidhur dhe të mbyllur, dhe për të cilët Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) deri më tani nuk ka shprehur as interesimin më të vogël për t’ju siguruar mirëqenie, qoftë edhe minimale.

Në ditën ndërkombëtare të qenve, i bëjmë thirrje AUV-së dhe Ministrisë së Bujqësisë (MBPZHR) të heqin dorë nga promovimi i masave që përfundon me vrasje masive të qenve të rrugës, dhe nuk koncentrohet në burimet e vërteta të problemit.

Në këtë ditë, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve të nivelit qendror dhe lokal, që të angazhohen me seriozitet dhe urgjencë për të menaxhuar popullsinë e qenve, për të parandaluar rritjen e numrit të qenve në rrugë në mënyrë të qëndrueshme dhe humane, për të siguruar mirëqenie maksimale të këtyre kafshëve, por edhe për të ofruar siguri për qytetarët, e sidomos fëmijët.

#ditanderkombetareeqenve