Gjoni po e shijon jetën në shtëpinë e tij të përkohshme në PYLLI I ARINJVE Prishtina, deri sa të plotësohen kushtet (burokratike) për transferimin e tij në shtëpinë e përhershme në një nga qendrat e shpëtimit të Four Paws për macet e mëdha.
Këto pamje duhet të na shërbejnë si rikujtim që Kosova ka ende shumë për të bërë për të përmirësuar mbrojtjen e kafshëve, përfshirë edhe luftimin e tregtisë ilegale të kafshëve të egra (dhe jo vetëm).
Po bëhen gati tri vite prej kur Gjoni është kontrabanduar nga Shqipëria në Kosovë për t’u mbajtur si atraksion në një restorant, në një kafaz jashtëzakonisht të vogël dhe aspak të përshtatshëm për të. Vlen të theksohet se asnjë kafaz dhe asnjë vend nuk është i përshtatshëm për kafshët e egra, pasi që shtëpia e tyre është në natyrë, në liri. I ftojmë të gjithë që të raportojnë raste të keqpërdorimit apo kontrabandimit të kafshëve të egra në Kosovë: info@animalrights-rks.org
Edhe pse ‘Four Paws’ ka ofruar të marrë nën përkujdesje Gjonin dhe të marrë përsipër transferimin e tij në një qendër shpëtimi të përshtatshme për specien e tij, Konventa CITES ka pamundësuar udhëtimin e tij, pasi që Kosova nuk është pjesë e kësaj konvente.
Ne jemi duke bashkëpunuar me institucionet e vendit, në koordinim me PYLLI I ARINJVE Prishtina, për të identifikuar mundësitë për ratifikimin e kësaj konvente në Republikën e Kosovës, në mënyrë që më në fund të mundësohet ligjërisht transferimi i Gjonit dhe kafshëve të tjera të egra në rast të mbajtjes mizore dhe jashtëligjore.
Na ndihmoni ta luftojmë krimin me kafshët e egra!