Komuna e Prishtinës ka kontraktuar katër (4) operatorë ekonomik për t’i trajtuar qentë endacak me metodën KSVL (kapje, sterilizim, vaksinim, lëshim):
1. Veterina 1 – me veterinar DVM Shefki Ajdini
2. “Crazy Pet” – me veterinar DMV Dardan Pozhegu
3. “North Animal Hospital” me DMV Zenel Zhabari
4. Qendra për Trajtim të Kafshëve me DVM Taulant Kastrati
Këta veterinerë do të punojnë në të gjitha rajonet e Prishtinës përfshirë edhe fshatrat dhe komunat tjera fqinje pasi që Komuna e Prishtinës ka ndarë një buxhet mjaft të madh për këtë aspekt (detaje të cilat do të postohen së shpejti po ashtu). Aktivizimi i një projekti më të madh është shumë pozitive pasi që asnjëherë më parë nuk është bërë një projekt KSVL i vazhdueshëm, duke i përfshirë edhe fshatrat e Prishtinës pasi që shumica e qenve që braktisen në Prishtinë, vijnë nga fshatrat e ndryshme apo edhe komunat e tjera. Gjithsesi, organizata jonë veçse ka marrë ankesa të shumta për ecurinë e projektit në fjalë dhe për fat të keq, Komuna e Prishtinës nuk na ka lajmëruar për fillimin e këtij projekti. Ne gjithsesi do të fillojmë monitorimin e projektit edhe në terren pasi që informatën për fillimin për këtë projekt e kemi kuptuar nga disa parregullësi që janë shfaqur dhe do të presim deri të hënën përgjigje të zyrtarëve përgjegjës në Komunë, për rastet dyshuese që kanë ndodhur në Prishtinë gjatë trajtimit të qenve endacak. Çdo gjë do të bëhet publike. Andaj, projekti në fjalë duhet të monitorohet me kujdes dhe shumë vigjilencë dhe për këtë arsyje i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të:
a. fotografojnë dhe dokumentojnë qentë e tyre të lagjes në rast se kanë vath pasi që qentë me vath në vesh nuk duhet të merren për kastrim apo sterilizim sepse konsiderohen si të trajtuar. Mund të merren vetëm për ndonjë vaksinim por gjithsesi qentë duhet t’i kthejnë shumë shpejtë në lagje/komunitet. Nëse mungojnë qentë e komunitetit/lagjes më gjatë se 2 ditë, ju lus të na njoftoni menjëherë në info@animalrights-rks.org ose këtu në Facebook apo Instagram.
b. nëse qentë e lagjes nuk janë të trajtuar, do të thotë pa vath në vesh, ju lus ta kontaktoni Komunën e Prishtinës në numrin emergjent: 080012233 ose 080012244 ose neve si organizatë që t’a njoftojmë Komunën për intervenim. Nëse qentë e lagjës nuk kthehen brenda 5-7 ditëve, ju lusim të na kontaktoni!
c. qentë agresivë dhe të sëmurë duhet të lajmërohen në Komunën e Prishtinës, për ta ruajtur shëndetin dhe sigurinë publike. I lusim qytetarët që t’mos ndërmarrin hapa mizor ndaj kafshëve siç është helmimi, vrasja përmes armëve apo çfarëdo mjeti tjetër që lëndon kafshën. Veterinerët e kontraktuar kanë për dëtyrë që të vijnë t’i marrin ata qen.
I bëjmë thirrje edhe Policisë së Kosovës, të cilët do t’i informojmë edhe zyrtarisht se projekti ka filluar dhe që të bashkëpunojnë me veterinerët e Komunës për ndonjë rast që lajmërohet si urgjent, në rast agresiviteti dhe të MOS I VRASIN KAFSHËT me armë, siç ka ndodhur rishtazi. Vrasja e kafshëve me armë është mizore dhe nuk është e nevojshme pasi që ekzistojnë metoda mjekësore (humane) për të vrarë një kafshë, siç është eutanazia mjekësore. Për organizatën tonë asnjë vrasje e kafshëve nuk është humane, por në raste urgjente gjithsesi duhet të përdoret eutanazia dhe jo vrasjet mizore me armë dhe metoda tjera.
Organizata jonë bën thirrje qytetarëve të Prishtinës dhe komunave përrreth që të kujdesen për qentë e lagjeve të tyre dhe të jenë shumë të vëmendshëm!
Po ashtu, organizata jonë bën thirrje për bashkëpunim për monitorimin e projektit në fjalë. Ne si organizatë jemi në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës për ta monitoruar projektin në fjalë dhe nëse dikush është i interesuar të na ndihmojë në monitorime, ju lus të lajmëroheni në info@animalrights-rks.org që të merrni një trajnim të shkurtër mbi punën e monitorimit dhe të nënshkruani një marrëveshje të thjeshtë që respekton parimet dhe punën e organizatës.
Nëse dëshironi të bëheni monitorues i pavarur dhe jo në bashkëpunim me organizatën tonë, ju lutemi shkruani në adresën e emailit të menaxherëve të kontratave të Komunës: seniha.bajraktari@rks-gov.net dhe habib.qorri@rks-gov.net dhe kërkojuni atyre që t’ju japin një autorizim për të vizituar veterinerët që trajtojnë qentë dhe gjithçka që lidhet me projektet publike për trajtimin e qenve endacak.
Sa më shumë njerëz që monitorojnë, aq më mirë!