Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Tash e sa vite, fenomeni i organizimit të luftërave me qen në Kosovë është tejet present.

Personat që organizojnë apo marrin pjesë në këto aktivitete jashtëligjore dhe kriminale, shumicën e kohës këto vepra penale i postojnë edhe në rrjete sociale, pa ndonjë frikë nga përndjekja penale nga shteti.

Ka shumë hulumtime shkencore që tregojnë që personat që përfshihen në abuzim me kafshë, nuk ndalen vetëm me këtë krim. Pas kafshëve (apo në të njëjtën kohë), rradhën e ka familja apo/dhe shoqëria.

Në çdo takim që kemi pasur me institucionet ligjzbatuese, e kemi potencuar rrezikun që ju shfaqet edhe njerëzve nga persona të tillë që abuzojnë kafshë duke i detyruar të përleshen me kafshë të tjera. Fatkeqësisht, rasti në linkun më poshtë, e ka vërtetuar këtë që e kemi thënë shumë herë.

Shteti i Kosovës duhet të bëjë më shumë për të luftuar fenomenin kaq të ekspozuar të luftërave me kafshë, pasi që përmes parandalimit të kësaj dukurie, mund të parandalohen edhe shumë raste të tjera të dhunës, edhe ndaj njerëzve. Sa më herët që të ndalohen këta persona, aq më të sigurtë do të jenë edhe njerëzit edhe kafshët.

Vlen të theksohet që Prokuroria Themelore në Pejë, në bazë të përvojave tona si organizatë gjatë dorëzimit të kallëzimeve penale për organizimin e luftërave me qen, ka qenë mjaft aktive dhe bashkëpunuese dhe ka proceduar me aktakuza në Gjykatë për veprat penale nga Neni 346 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës edhe pse dënimet që marrin personat që abuzojnë me kafshë janë jashtëzakonisht të lehta. Deri më tani, asnjë person që ka organizuar luftëra me qen nuk është burgosur, edhe pse neni 346 I Kodit Pena e parasheh këtë dënim.

Ne e falenderojmë Prokurorinë Themelore në Pejë, si dhe të gjitha Prokuroritë tjera që kanë marrë seriozisht raportimet tona për luftëra me qen apo vepra të tjera të abuzimeve me kafshë, dhe shpresojmë që të gjitha Prokuroritë në Kosovë ta trajtojnë këtë temë me seriozitetin më të madh dhe të vendosin sanksione të ashpra për të ndaluar fenomenin e abuzimit të kafshëve.

Gjithsesi që organizata jonë do t’ju qëndrojë afër dhe do t’i mbështesë institucionet ligjzbatuese me të gjitha kapacitetet që ka, në mënyrë që abuzuesit e kafshëve të marrin dënimin e merituar.