Pamjet e dhimbshme më poshtë, e tregojnë një pjesë mjaft shqetësuese që rrezikon edhe mirëqenien dhe shëndetin tonë si njerëz. Kjo që shihet është një pasojë jashtëzakonisht e dëmshme e degradimit të mjedisit përmes hudhjes jashtëligjore të mbeturinave.
Siç shihet edhe në foto, mbeturinat e hudhura në natyrë, kanë implikime fizike dhe toksikologjike në jetën e kafshëve, njerëzve dhe gjithë ekosistemit. Plastika e pranishme në mbeturina gëlltitet nga kafshët e egra, duke çuar në lëndime vdekjeprurëse dhe dëmtime të traktit tretës që rezulton shumë probleme shëndetësore e edhe në vdekje të parakohshme për kafshët.
Plastikës i duhen qindra vjet për t’u degraduar plotësisht – që do të thotë se çdo copë plastikë e prodhuar ndonjëherë ende ekziston, në ndonjë deponi ose noton në lumenj si në këtë rast, duke pritur që të gabohet si një copë vdekjeprurëse ushqimi nga një zog, breshkë ose kafshë tjetër.
Hulumtimet e shumta kanë treguar se hedhja e mbeturinave është shpesh një veprim individual dhe i qëllimshëm. Në Kosovë ka një numër enorm të deponive jashtëligjore të mbeturinave (krahas atyre ligjore dhe të tmerrshme) dhe njerëzit e zakonshëm shpesh zgjedhin të hedhin mbeturina në natyrë, për shkak të mungesës së një sistemi të mirëfilltë shtetëror të mbledhjes dhe përpunimit të mbeturinave, për shkak të mungesës së shportave të mbeturinave në gjithë Kosovën dhe mungesës së fushatave ndërgjegjësuese.
Jo vetëm kafshët janë të rrezikuara nga mbeturinat por edhe ushqimi i njerëzve. Prania e mbeturinave në tokë kontribuon drejtpërdrejt në ndotjen e dheut. Ndërsa një produkt në mbeturina prishet, infekton tokën që e rrethon me kimikate të rrezikshme. Këta ndotës mund të zvogëlojnë praninë e mikroorganizmave në tokë dhe të pengojnë ose të ndryshojnë rritjen e bimëve përgjatë brezave.
Fatkeqësisht, në Kosovë shumë pak është bërë për të ngritur vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe shumë pak është zbatuar ligji kundër hedhjes së mbeturinave. Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë pothuajse kurrë asgjë përmbajtësore dhe ende nuk ndërmerr asgjë në lidhje me vetdijësimin e qytetarëve për hedhjen e pakontrolluar të mbeturinave dhe ndikimin negativ të këtij fenomeni në shëndetin e kafshëve dhe vet njerëzve. Për më tepër, Kosova nuk ka asnjë plan të menduar mirë të menaxhimit dhe përpunimit të mbeturinave (riciklim apo ripërdorim), që të mos mbesin mbeturinat e gjithë Kosovës, të shpërndara në deponi të mëdha (kinse ligjore) në mes mjediseve/peizazheve natyrore.
Përveç rrezikimit të shëndetit publik, mos menaxhimi i duhur i mbeturinave siç po shihet ka implikime vdekjeprurëse edhe për florën dhe faunën në Kosovë.
Megjithatë, secili prej nesh mund të kontribuojë për të reduktuar sasinë e mbeturinave në natyrë. Më poshtë mund t’i gjeni disa këshilla si të ndihmoni:
– Vendosni mbeturinat tuaja në shportë – në natyrë evito hudhjen e mbeturinave ku mund të ushqehen zogjtë apo kafshët e egra. Edhe nëse ka shporta, futi mbeturinat në çantë deri tek shporta më e largët nga natyra dhe kafshët e egra
– Gjithmonë merrni mbeturinat me vete nëse nuk ka shportë në dispozicion
– Mbani një qese në makinë tuaj për të mbledhur mbeturinat
– Blini më pak produkte të ambalazhuara dhe më shumë perime dhe pemë vendore
– Përdorni qese pëlhure/tekstili në vend të qeseve plastike
– Merrni pjesë në pastrimin e komunitetit ku jetoni
– Kërkoni llogari nga institucionet përgjegjëse
– Edukoni dhe kritikoni të tjerët që ndotin vazhdimisht mjedisin
📸 Fotografitë e realizuara nga Arian Mavriqi