Është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit në mes të organizatës sonë dhe Komuna e Prishtinës.
Përmes këtij memorandumi, organizata jonë do të mbështesë komunën e Prishtinës në monitorimin e masave të ndërmarra nga Komuna e Prishtinës për të zgjidhur çështjen e qenve endacak në mënyrë të qëndrueshme dhe humane. Organizata jonë do të jetë afër Komunës për ta mbështetur në përgjithësi rreth menaxhimit të popullsisë së qenve në Prishtinë, bazuar në frymën e Strategjisë Kombëtare që është duke u finalizuar nga niveli qendror (MAPL).
Komuna e Prishtinës është një nga komunat më aktive sa i përket projekteve të trajtimit të qenve në rrugë, por megjithatë, siç e kemi thënë shumë herë, situata me qentë në rrugë nuk mund të zgjidhet nëse nuk trajtohet burimi i problemit nga të gjitha komunat njëkohësisht dhe nëse nuk punohet seriozisht dhe në mënyrë transparente për reduktim human të numrit të qenve në rrugë.
Organizata jonë tashmë ka filluar me numërim shkencor të qenve në rrugë, sipas metodave profesionale të propozuara nga ICAM Coalition, dhe shumë shpejtë do t’ia prezantojmë këto të dhëna komunës, në mënyrë që të planifikohen masat e duhura dhe efektive të cilat do të adresojnë burimet e shtimit të numrit të qenve në rrugë bazuar në të dhënat dhe dinamikën e popullsisë së qenve në komunitetet lokale.
Organizata jonë do të monitorojë çdo proces dhe masë të zbatuar nga komuna për këtë qëllim, në mënyrë që të sigurohet një trajtim profesional, llogaridhënës dhe human për qentë, të cilët edhe vet janë viktima të sjelljeve të pandërgjegjshme njerëzore, siç janë ndarja e këlyshëve nga nëna në moshë tepër të hershme dhe braktisja e tyre, mungesa e trajtimeve veterinare, keqtrajtimi etj.
E falenderojmë komunën e Prishtinës që ka zgjedhur të punojë me një qasje transparente dhe të qëndrueshme për zgjidhjen e problemit, pasi që vetëm me këtë qasje sigurohet efikasitet në reduktimin human të qenve në rrugë, dhe rrjedhimisht, edhe shpenzim efikas i parasë publike.
Me nënshkrim të këtij memorandumi, asnjë kosto financiare nuk iu ngarkohet palëve.