Që nga muaji shtator 2022, Komuna e Prishtinës nuk jep qasje në dokumentacionin dhe raportet e veterinerëve (operatorëve ekonomik) për projektin KSVL (kapje, sterilizim/kastrim, vaksinim, lëshim).
Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer që Komuna e Prishtinës, e cila do të duhej të ishte shembull për të gjithë komunat tjera, nuk është e interesuar që të punohet me transparencë të plotë.
Të dhënat e projekteve publike iu garantohen qytetarëve dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, dhe shtylla më e rëndësishme në këto projekte publike është pikërisht llogaridhënia dhe transparenca institucionale për të siguruar që paraja publike po shpenzohet siç duhet dhe që objektivat e kontratës së projektit të arrihen me profesionalitet dhe korrektësi. Secila kontratë publike bazohet në legjislacionin në fuqi për natyrën e punës që jep apo realizon. Kontrata KSVL për trajtimin e qenve endacak garanton që mirëqenia e kafshëve të sigurohet por ne nuk dimë se si po arrihet mirëqenia e kafshëve dhe si po shpenzohet paraja publike në këtë projekt, pasi që nuk na është dhënë qasja në dokumentet publike për projektin në fjalë. Organizata jonë është ankuar pranë organeve kompetente që kjo e drejtë të na respektohet.
Vlen të theksohet se Komuna e Prishtinës muaj më parë është zotuar që do të jetë transparente dhe ka nënshkruar me organizatën tonë një Marrëveshje Mirëkuptimi (bashkëpunimi) që secila punë apo projekt i Komunës të jetë nën monitorim të Organizatës tonë. Këto objektiva të Marrëveshjes nuk po respektohen. Këtu e gjeni Marrëveshjen e nënshkruar dhe zotimet e secilës palë: https://bit.ly/3CJIglA
I ftojmë të gjitha mediat, organizatat dhe qytetarët që të bëjnë kërkesë për qasje në dokumente zyrtare për projektin KSVL pranë Komunës së Prishtinës dhe të kërkohet llogari për punën neglizhente të ekipit të kapjes së veterinarit Taulant Kastratit pasi që kanë vrarë një qen në kombin e tyre. A thua sa qen kanë përfunduar kështu dhe si po shpenzohet paraja publike?