Më 1 & 2 Mars 2023, FOUR PAWS dhe Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve do të organizojnë punëtorinë institucionale për menaxhimin efektiv dhe human të popullsisë së qenve dhe reduktimin e numrit të tyre në rrugë nga perspektiva e nivelit qendror dhe komunal.
Në këtë punëtori, FOUR PAWS do të ndajë me ne përvojat dhe masat e suksesshme nga vendet e rajonit për menaxhim të popullsisë së qenve, si dhe propozimet për zbatimin sa më efektiv të strategjisë kombëtare për menaxhimin e popullsisë së qenve në Kosovë.
Punëtoria do të trajtojë temat si në vijim:
– Efektiviteti i masave humane për menaxhimin e popullsisë së qenve
– Rëndësia e bashkëpunimit ndër-institucional për menaxhim efektiv të popullsisë së qenve
– Ndërtimi i kapaciteteve institucionale
– Fokusi në burimet e problemit
Ne ju bëjmë thirrje edhe publikisht zyrtarëve përgjegjës të institucioneve lokale dhe qendrore, që të marrin pjesë në këtë punëtori, nga e cila shpresojmë që të marrin këshillat më të mira për zbatimin sa më efektiv të Strategjisë Kombëtare për menaxhimin dhe kontrollin e qenve me dhe pa pronar’ të aprovuar nga Qeveria e Kosovës me datë 26 tetor 2022.
Jemi me fat që FOUR PAWS ka pranuar të vijë në Kosovë për të ndarë përvojat e veta sa i përket menaxhimit të popullsisë së qenve, dhe i falenderojmë jashtëzakonisht shumë që asnjëherë nuk hezitojnë të ndihmojnë kafshët edhe në Kosovë!