Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

Në shkurt të këtij viti, organizata jonë kishte publikuar raportin hetimor të OJQ-së spanjolle “Equalia”, i cili shpërfaq trajtimin mizor të shpezëve në një nga fermat e prodhuesit Italian “AIA” i cili prodhon produktet e mishit të procesuar “Wudy”.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, ka urdhëruar heqjen nga tregu të produkteve “Wudy” (https://bit.ly/3C2uvP2), të brendit Italian “AIA”, për shkak të pranisë së bakteries “Listeria” në këto produkte (https://www.who.int/news-room/fact-sheets/detail/listeriosis).

Zogjtë e kalbur mund të shihen duke u ngrënë nga zogj të gjallë; zogj në agoni; zogj me deformime dhe fraktura të ndryshme, të paaftë për t’u ngritur në këmbë. Disa zogj, nuk mund të arrijnë as enën e ujit, gjë që ua bën edhe më të keqe vuajtjen. Imazhet zbulojnë gjithashtu keqpërdorime të supozuara nga ana e stafit, duke dhënë shkelma dhe goditje. Qafat e zogjve gjithashtu shihet se janë thyer ose kokat e tyre janë shkelur për vdekje.

Problemet serioze shëndetësore të shpezëve të paraqitura në video janë për shkak të hibridizimit gjenetik që kryhet për të arritur rritjen maksimale në kohën më të shkurtër të mundshme. Racat e pulave me rritje të shpejtë janë më të prirura të marrin sëmundjeve të pashmangshme që industria në mënyrë shumë të butë i referohet si “sëmundje të prodhimit”. Këto probleme shëndetësore çojnë në një përdorim të lartë të antibiotikëve në mënyrë preventive, në vend të përdorimit të rekomanduar terapeutik të tyre.

Edhe njëherë po vërtetohet që industria e prodhimit të produkteve shtazore është një industri mizore, e cila për përfitime financiare nuk kursen as kafshët e as njerëzit. Mirëqenia e kafshëve në ferma dhe objekte të tjera të mbajtjes së kafshëve, është pothuajse inekzistente. Edhe pse është vërtetuar shumë here që keqmbajtja e kafshëve dhe rrezikimi i mirëqenies së tyre rrezikon seriozisht edhe shëndetin e njerëzve, megjithatë enda ka shumë punë për t’u bërë edhe në Kosovë për kontroll të mirëfilltë të mbajtjes së kafshëve në shtëpi, ferma apo fabrika.

Videon e mbajtjes së tmerrshme të shpezëve në një nga fermat e “AIA”, mund ta shihni më poshtë.

SOURCE