Kujdes, pamje grafike!
Organizata jonë ka pranuar me shqetësim një video të një nga rastet e shumta të keqtrajtimit të qenve përmes përfshirjes në përleshje me qentë e tjerë ku shihet që i dyshuari flet krenar për qenin e tij që ka marrë pjesë në luftëra me qen dhe i cili ka fytyrën dhe nofullën e shqyer nga përleshjet dhe i cili ende gjendet i lidhur dhe në dhimbje ekstreme tek abuzuesi i tij.
Në këtë video, mund të shihen pasojat mizore që ka përjetuar qeni i gjorë, i cili padrejtësisht dhe me dhunë është detyruar të përleshet me qen të tjerë.
Këto pamje jashtëzakonisht shqetësuese, tregojnë edhe një herë që shteti i Kosovës ka mjaft punë për të bërë për të parandaluar krimin me qentë dhe organizimin e luftërave në mes tyre. Dënimet që të akuzuarit kanë marrë për veprën penale të Nenit 346 të Kodit Penal janë aq të ulëta (deri më tani) saqë abuzuesit e kafshëve rrezikohet që ende vazhdojnë të jenë abuzues dhe vazhdojnë t’i torturojnë kafshët.
Disa zyrtarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe Ministrisë së Bujqësisë (MBPZHR) vazhdimisht kërkojnë “zgjidhje të shpejta” duke propozuar eutanazinë masive të qenve dhe ankohen për numrin e madh të qenve në rrugë, dhe vazhdimisht shtiren kinse brengosen për sigurinë e njerëzve, e në anën tjetër për më shumë se 15 vite nuk kanë bërë ASGJË për të parandaluar mbarështimin ilegal të qenve që bëhet anekënd Kosovës, e po ashtu nuk kanë bërë asgjë as për të parandaluar braktisjen e qenve në rrugë dhe asnjëherë nuk janë marrë me trajtimin e krimeve që bëhen ndaj qenve (apo kafshëve tjera) në Kosovë. Këto dy institucione duhet të reformohen urgjentisht që të kenë njerëz profesionistë në lidhje me mirëqenien e kafshëve (po ashtu kafshëve të vogla). Urojmë që Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë hapa të nevojshëm që këto dy institucione të punojnë siç duhet në mbrojtjen e mirëqenies të të gjitha kafshëve sepse rastet si ky, gjenden në çdo cep të Kosovës dhe drejt të gjitha kafshëve, edhe atyre që keq mbahen në ferma apo kudo tjetër.
Shumë nga qentë e përdorur për luftëra, braktisen në rrugë dhe përfundojnë të vdekur në dhe në dhimbje të thella si ky qeni i gjorë si në video. Organizata jonë ka hasur në qindra qen të tillë, gjatë punës sonë ndër vite për monitorimin e trajtimit të qenve të rrugës në projekte publike. Është shumë normale pastaj që të rriten gjasat për të pasur sulme të qenve ndaj njerëzve apo qenve të tjerë, sepse vazhdimisht braktisen qentë që janë mësuar tërë jetën nga pronarët e tyre të shfaqin agresivitet.
Në lidhje me këtë rast, organizata jonë ka njoftuar organet përgjegjëse, dhe shpreson në veprime urgjente për ta vënë të dyshuarin para drejtësisë dhe të shqiptojë dënim maksimal sipas dispozitave ligjore në fuqi. Kemi kërkuar nga organet e drejtësisë dhe Policisë që të konfiskohet qeni i lënduar dhe abuzuar dhe të gjithë qentë e tjerë që i dyshuari posedon, pasi që është abuzues i rëndë dhe i qëllimshëm i kafshëve.
Shumë raporte shkencore tregojnë që nëse abuzimi dhe dhuna ndaj kafshëve nuk adresohet dhe nuk dënohet, shpërndahet edhe tek rastet ku përfshihen njerëzit.
Ne presim nga AUV dhe MBPZHR që të punojë intenzivisht për t’i përmbushur obligimet ligjore që kanë për të mbrojtur kafshët nga abuzuesit dhe nga jeta e tmerrshme që kanë në Kosovë. Këto dy institucione dhe zyrtarët e tyre të pa përgjegjshëm janë fajtorë të shumë vuajtjeve dhe torturave që shumë kafshë dhe qen përjetojnë.
Për lajme të reja rreth këtij rasti, do të ju mbajmë të informuar.
Përditësim 06.10.2022: Pas raportimit të organizatës tonë, Policia në Prizren ka ndërmarrë veprimet për të identifikuar të dyshuarin, dhe në bashkëpunim me inspektorin e AUV-së dhe ekipin veterinar, qeni është konfiskuar nga i dyshuari dhe është eutanazuar në mënyrë humane, pasi që lëndimet që ka pësuar qeni pasi është detyruar të përleshet me një qen tjetër, kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha dhe të pashërueshme.
Organizata jonë po ashtu ka dorëzuar kallëzim penal pranë Prokurorisë Themelore në Prizren për këtë rast, dhe presim që ky rast të trajtohet sipas dispozitave ligjore në fuqi dhe i dyshuari të marrë dënimin maksimal të merituar. Ne kami kërkuar që të dyshuarit t’i ndalohet mbajtja e qenve, pasi që ky nuk është qeni i vetëm që i dyshuari mban dhe përdor për përleshje me qen tjerë.
Fenomeni i luftërave mes qenve është i përhapur në tërë Kosovën, dhe ende ka shumë punë për të bërë për të luftuar këtë fenomen abuziv, i cili konsiderohet vepër penale edhe me Nenin 346 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Për organizatën tonë, në lidhje me këtë rast, është shqetësues edhe fakti që sipas të dyhshuarit qeni fillimisht është dërguar tek veterinari, dhe është liruar nga veterinari me plagë brutale në fytyrë, dhe po ashtu nuk është lajmëruar rasti nga veterinari tek organet kompetente, e që përbën po ashtu vepër penale. Kjo na rikujton edhe njëherë që shumë veterinerë ende e kanë të panjohur konceptin e empatisë dhe faktin që kafshët janë qenie të ndjeshme që përjetojnë dhimbje, dhe po ashtu nuk janë të njoftuar mbi obligimet ligjore që kanë për të raportuar keqtrajtimin e kafshëve. Kushdo që nuk i raporton veprat penale, bëhet bashkëpjesëmarrës i këtyre veprave.
Ne e falenderojmë Kosovo Police dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarise për reagimin dhe për ndërmarrjen e masave për të ndalur dhimbjet e mëdha të qenit në mënyrë humane.
Shpresojmë që organet ligjzbatuese të angazhohen më serioizht për të parandaluar luftërat mes qenve, pasi që nuk mjafton vetëm ndjekja penale pasi të kryhet vepra, sepse në fund të fundit, po e pësojnë kafshët e gjora që gjenden në dorë të abuzuesve.