Javën që shkoi, kemi pranuar informata nga Bardh Abazi, një aktivist i devotshëm në mbrojtje të kafshëve të rrugës, se disa këlyshë kishin mbetur të ngujuar në një gyp të ndërtesës, në një nga lagjet e kryeqytetit.
Në pamundësi për t’i shpëtuar vetë këlyshët, për shkak të lokacionit të papërshtatshëm, dhe për shkak të nevojës për të intervenuar për të arritur deri tek këlyshët, kanë kontaktuar Komunën e Prishtinës, përkatësisht Drejtorinë e Shërbimeve Publike për të kërkuar ndihmë dhe Policinë e Kosovës që të reagojnë dhe ndihmojnë. Pas disa thirrjeve nga aktivistët por pa asnjë përgjigje serioze, organizata jonë ka kërkuar veprim dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse për të reaguar në raste si këto, kur kafshët janë në rrezik apo duke u keqtrajtuar.
Çdo veprim apo mos veprim që kafshës i shkaktohet dhimbje apo shqetësim i rëndë, konsiderohet vepër penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, andaj, injorimi i problemit të këlyshëve të ngecur në një vend ku pa shpëtimin institucional do të kishin vdekur në dhimbje të skajshme.
Kontraktorët e komunës së Prishtinës, së bashku me inspektorin e komunës, kanë dalë në vendin e ngjarjes në ditën pasuese dhe kanë intervenuar për të shpëtuar këlyshët. Këlyshët kanë shpëtuar dhe për momentin janë të sigurtë.
E falenderojmë Drejtorinë e Shërbimeve Publike të komunës së Prishtinës dhe Kompaninë e Termokosit që kanë vepruar me etikë profesionale dhe ju kanë përgjigjur thirrjes për ndihmë, e po ashtu i falenderojmë aktivistët si Bardh Abazi, Dea Hysa, dhe Ermal Osmani, që nuk janë ndalur së kërkuari zgjidhje deri në shpëtimin e këlyshëve.
Fatkeqësisht, jeta për qentë në rrugë do të thotë ekspozim ndaj rreziqeve të shumta, përfshirë edhe raste si ky, dhe jo të gjithë qentë e kanë fatin të vërehen dhe shpëtohen nga njerëzit/komuniteti.
Prandaj kjo është edhe një arsye më shumë që duhet të punohet urgjentisht dhe seriozisht në zgjidhje të qëndrueshme dhe humane për të reduktuar numrin e qenve në rrugë.