Sot me datë 26 tetor 2022, Qeveria e Kosovës ka miratuar ‘Strategjinë Kombëtare për Menaxhimin dhe Kontrollin e Qenve me dhe pa Pronar’.
Strategjia Kombëtare është dokumenti i parë i natyrës së tillë dhe më i rëndësishmi për trajtimin e çështjes me qentë endacak në Kosovë dhe që ka për objektiv koordinimin e masave të nevojshme, të cilat fokusohen tek rrënjët e problemit me qentë endacak (braktisjet e këlyshëve, mbarështimet jashtëligjore, kontrollin e qenve me pronar) deri tek masat e menaxhimit të numrit aktual të qenve në rrugë, dhe po ashtu ka për qëllim koordinimin e institucioneve përgjegjëse për këtë aspekt, duke synuar krijimin e një sistemi të struktuaruar dhe të qëndrueshëm të menaxhimit të qenve me dhe pa pronar (qentë endacak).
Strategjia është draftuar me mbështetje të organizatës tonë dhe ekspertëve nga BE-së në kuadër të projektit “Support to establishing disease surveillance and control programs and alignment with Chapter 12 of the acquis”, dhe parasheh të gjitha masat e nevojshme për zgjidhje efektive dhe të qëndrueshme të këtij problemi. Në anën tjetër, MAPL ka qenë e interesuar që përmes masave, të respektojë standardet ndërkombëtare të mirëqenies së kafshëve dhe mbrojtjes së sigurisë dhe shëndetit të njerëzve. Strategjia bazohet në tërësi në rekomandimet e organizatave më të mëdha botërore me përvojë në fushën e menaxhimit të popullsisë së qenve, por edhe duke u bazuar në praktikat e vendeve që tashmë e kanë zgjidhur këtë problem qe një kohë të gjatë.
Për më shumë rreth Strategjisë, lexoni këtu: https://bit.ly/3TLYEJ6
Së shpejti organizata jonë do të publikojë të gjitha detajet e kësaj strategjie dhe fillimin e zbatimit të saj, pasi të marrim detajet nga MAPL.
Ky është një hap i mirë dhe urojmë që zbatimi të jetë sa më i suksesshëm.
E falenderojmë Zyrën e Kryeministrit dhe Ministrin z. Elbert Krasniqi bashkë me stafin e tij, për punën e palodhshme në këtë drejtim!