Fondacioni Për Të Drejtat E Kafshëve Në Kosove

*KUJDES, PAMJE GRAFIKE!*

Organizata jonë ka pranuar një video shumë shqetësuese, ku shihet një person duke vrarë një dhelpër në mënyrë mizore, duke e goditur atë me gur. Dhelpra nuk kishte vdekur në goditjen e parë dhe ishte ende gjallë kur e morri goditjet tjera.

Pas pranimit të informatave, organizata jonë ka raportuar rastin në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Themelore në Pejë, për keqtrajtim të kafshëve sipas Nenit 346 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Pejë së bashku me Policinë, menjëherë ka filluar hetimet në lidhje me këtë rast, dhe është në proces të përpilimit të aktakuzës sipas dispozitave ligjore në fuqi.

Fatkeqësisht, ky nuk është rast i izoluar, ku kafshët e egra vriten në mënyrë mizore. Vrasja e kafshëve të egra, fatkeqësisht mbetet shqetësim i dukshëm, marrë parasysh që as gjuetia ligjore nuk ka kontrollë strikte të respektimit të standardeve të mirëqenies së kafshëve dhe dispozitave ligjore në Kosovë për sezonin e gjuetisë.

Përderisa ende kemi njerëz të tillë që vrasin kafshë në mënyra barbare, shteti i Kosovës (Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësirnor dhe Infrastrukturës) ka ende mjaft punë për të bërë për të filluar me edukim thelbësor (për të parandaluar abuzimet ndaj kafshëve) të qytetarëve për mirëqenien dhe të drejtat e kafshëve si dhe ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit.

E falenderojmë Prokurorinë Themelore dhe Policinë në Pejë për reagimin e shpejtë dhe presim që vrasësi i dhelprës të marrë dënimin e merituar sipas legjislacionit në fuqi!