Organizata jonë ka pranuar me shqetësim lajmin e publikuar në portalin “Insajderi”, rreth vrasjes me 8 plumba të një qeni të rrugës nga zyrtarë policor të Policisë së Kosovës.
Përderisa legjislacioni në fuqi e lejon përdorimin e forcës për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe kafshëve të tjera, për ne si organizatë konsiderohet akt i tepruar vrasja e një qeni të rrugës në atë mënyrë, dhe të gjuhet me 8 plumba nga arma zyrtare, kinse për ta ruajtur rendin dhe qetësinë. Organizata jonë që një kohë të gjatë merret me ankesa dhe denoncime të ndryshme në shumë stacione policore në Kosovë dhe gjithsesi duhet theksuar se stacionet policore dhe zyrtarët policor, kanë jashtëzakonisht nevojë për trajnime të ndryshme për ta dalluar një kafshë agresive nga një kafshë që potencialisht frikësohet dhe mund të lehë në drejtim të njerëzve, si rasti i shumë qenve të rrugës. Të lehurat e qenit nuk japin dritë të gjelbër për zyrtarët policor të shkrepin armët e tyre ndaj kafshëve.
Edhe nëse qeni paska qenë potencialisht agresiv dhe i rrezikshëm si mund të arsyetohen 8 plumba nga Policia e Kosovës? Në video shihet që pas plumbit të pare qeni nuk lëviz fare dhe nuk paraqet kurfar rreziku për të arsyetuar edhe 7 plumba shtesë në drejtim të tij. Tetë plumbat në drejtim të qenit edhe pas neutralizimit të rrezikut potencial dhe vrasja e qenit tregojnë mungesë të mëshirës dhe mllefin sterotipik për qentë e rrugës nga një pjesë e madhe e komunitetit, përfshirë edhe zyrtarët policor.
Gjithsesi mund të ketë qen në rrugë të cilët e rrezikojnë sigurinë publike, dhe patjetër që duhet të gjendet zgjidhje për t’I larguar nga rruga, por jo duke i vrarë ata. Vlen të theksohet se organizata jonë shpesh ka hasur në qen të cilët janë cilësuar si agresiv nga komuniteti, por që nuk kanë qenë fare të tillë.
Ne tashmë kemi dërguar kërkesë zyrtare në Policinë e Kosovës për të kërkuar më shumë informata rreth veprimeve policore në këtë rast, si dhe për të kuptuar se si është vlerësuar agresiviteti i qenit dhe a ka kontaktuar policia me komunën e Prishtinës apo AUVK, për të tentuar kapjen e qenit dhe trajtimin e tij sipas Ligjit për Mirëqenie ndaj Kafshëve dhe Udhëzimit Administrativ 04/2017 për trajtimin e qenve të rrugës me metodën KSVL, përfshirë edhe rregullat për qentë agresiv. Pas informatave që marrim, nëse nuk vëretohet sulmi direkt apo kafshimi nga qeni i rrugës për ta arsyetuar shkrepjen e armëve të zjarrit, organizata jonë do të ndërmarr hapa ligjor ndaj zyrtarëve policor të përfshirë në këtë rast.
Ne jemi të vetëdijshëm që qentë që janë me të vërtetë agresiv përbëjnë rrezik jo vetëm për njerëzit, por edhe për kafshët e tjera, dhe patjetër që duhet të largohen nga rruga me metoda humane, por veprime të tilla si vrasja me armë me 8 plumba të një qeni të rrugës, nuk është mënyra e duhur për të menaxhuar situatat me qentë në rrugë.