Kuvendi i Komunës së Prishtinës, në mbledhjen e datës 27.06.2023, e ka aprovuar inicitativën e kryetarit Përparim Rama për subvencionimin prej 50 euro në muaj për këdo që adopton qen të rrugës.
Përderisa qëllimi për këtë iniciativë mund të jetë i mirë, organizata jonë mendon që aktualisht nuk ka kushte që një iniciativë e tillë të zbatohet me sukses, dhe që fokusi kryesor duhet të jetë tek burimet e problemit, e që janë qentë me pronar. Prandaj, mendojmë që është shumë më efektive që iniciativat e komunës për subvencionim, të drejtohen në mbulimin e shpenzimeve të kastrimit/sterilizimit të qenve me mbajtës (pronar), pasi që gati 50% e qenve me mbajtës (pronar) në komunën e Prishtinës nuk janë të sterilizuar, dhe gjysma e tyre lejohen të bredhin pa mbikqyrje jashtë ambienteve të shtëpisë, duke rritur kështu gjasat për shtim të numrit të qenve endacak përmes riprodhimit.
Po ashtu, është me rëndësi të theksohet se mungesa e fushatave ndërgjegjësuese për mbajtje të përgjegjshme të qenve është shqetësuese. Praktikat e papërgjegjshme të mbajtjes së qenve kontribuojnë në rritjen e popullsisë së qenve endacak, dhe mbajtja e qenve në Kosovë në masë të madhe mbetet në nivel shumë të dobët, ku qentë mbahen në kushte skajshmërisht neglizhuese. Prandaj, përpara se fillohet me iniciativa për promovim të adoptimeve, komuna duhet të ketë prioritet edukimin e publikut për kujdesin dhe përgjegjësitë e duhura që lidhen me mbajtjen e një qeni. Programe të tilla ndërgjegjësimi mund të ndihmojnë në parandalimin e rasteve të ardhshme të neglizhencës ose braktisjes.
Çfarëdo mase për trajtimin e problemit të qenve të rrugës, përfshirë iniciativën e komunës për promovimin e adoptimeve, duhet të paraprihet nga një planifikim i mirëfilltë i monitorimeve dhe inspektimeve. Pa kapacitete për inspektime dhe monitorime, çdo masë është e destinuar të dështojë. Inspektimi i shtëpive për mbajtje të kafshëve kërkon numër të konsiderueshëm të inspektorëve, dhe për momentin, është e vërtetuar që institucionet e mandatuara nuk kanë kapacitete të mjaftueshme njerëzore për inspektime në të gjitha fushat, e as për të implementuar iniciativa të tilla dhe për të garantuar mirëqenien e kafshëve.
Është shumë e rëndësishme që që Komuna e Prishtinës të bashkëpunojë ngushtë me organet ligjzbatuese, veçanërisht me Policinë, për të adresuar çështjen e braktisjes masive të qenve nga qytete apo rajone të tjera. Ky problem jo vetëm që vë një barrë shtesë për resurset lokale, por gjithashtu rrezikon mirëqenien e këtyre kafshëve të pafajshme.
Për momentin, një problem tjetër që e vështirëson zbatimin e mirëfilltë të iniciativës për adoptim, është edhe mungesa e bazës ligjore për mbajtje të përgjegjshme të kafshëve shoqëruese. Sipas Ligjit për Përkujdesje ndaj Kafshëve, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural është përgjegjëse për hartimin e akteve nën-ligjore për përcaktimin e kushteve të mbajtjes së kafshëve shoqëruese. Për momentin, një akt nënligjor i tillë nuk ekziston, dhe organizata jonë është duke analizuar bazën ekzistuese ligjore për të kuptuar nëse kjo çështje mund të rregullohet në nivel lokal.
Kryetari Rama, në takimin e fundit me shoqërinë civile, ka premtuar krijimin e grupit punues dhe koordinimin e të gjitha iniciativave me aktivistë, dhe ne presim që të respektojë premtimin e bërë dhe të themelojë grupin punues para fillimit të procedurave të adoptimit.
Qentë e komunitetit, për të cilët ka përkujdesje nga qytetarë të shumtë, të cilët janë përshtatur me komunitetin, nuk përbëjnë shqetësim për askënd, dhe të cilët gëzojnë shëndet të mirë, nuk duhet të përfshihen në iniciativa të tilla, përderisa numri i qenve endacak është i madh dhe ka mjaft qen të cilët duhet të prioritizohen për t’ju gjetur shtëpi të përhershme. Qytetarët të cilët përkujdesen për qentë e komunitetit, duhet të mbështeten nga komuna që të vazhdojnë këtë përkujdesje.Në këtë aspekt, organizata jonë vazhdimisht ka propozuar edhe në institucionet lokale, por edhe ato qëndrore, angazhimin e ‘kujdestarëve të lagjes’ për kafshët endacake, ku këta kujdestarë do të përkujdeseshin për kafshët në lagje të caktuara, do të identifikonin qentë që kanë nevojë për mjekim, strehim apo ndonjë trajtim tjetër, dhe do të mbledhnin vazhdimisht të dhëna për dinamikën e qenve në lagjet ku ata janë përgjegjës.
Një nga shqetësimet tona kryesore rreth iniciativës së komunës së Prishtinës për promovim të adoptimeve është se stimuj të tillë financiarë mund të tërheqin individë, fokusi kryesor i të cilëve është përfitimi monetar dhe jo mirëqenia e qenve. Pa bazë të mirëfilltë ligjore, dhe pa shqyrtim dhe vlerësim të duhur, rrezikohet që këto kafshë të përfundojnë në duart e njerëzve të gabuar. Prandaj, komuna duhet të të zbatojë një proces gjithëpërfshirës verifikimi për të siguruar që adoptuesit e mundshëm të kenë kushtet e nevojshme dhe synimet e vërteta për të ofruar një shtëpi të dashur dhe të sigurt për këta qen.
Për më tepër, ne besojmë se përfitimet alternative do të ishin më efektive në promovimin e adoptimit dhe mbajtjes së përgjegjshme të qenve dhe angazhimit afatgjatë për përkujdesje ndaj tyre. Në vend që komuna të mbështetet vetëm në kompenzimin financiar, ne inkurajojmë komunën të marrë në konsideratë edhe subvencionimin e aspekteve të tjera thelbësore të mbajtjes së qenve. Duke ofruar mbështetje për shërbime veterinare dhe ushqim, pronarët aktual dhe potencial të qenve, do të jenë në gjendje të ofrojnë kujdesin dhe vëmendjen që u nevojitet këtyre qenve. Kjo qasje holistike siguron që fokusi të mbetet në mirëqenien e kafshëve, dhe jo në përfitime financiare.
Organizata jonë vazhdimisht ka kërkuar vazhdimisht që për çfarëdo adoptimi të kafshëve, të nënshkruhet kontrata e adoptimit, e cila kërkon që adoptuesit të ofrojnë përditësime të rregullta mbi mirëqenien e qenve që adoptojnë. Kjo masë po ashtu parasheh obligime specifike për adoptuesit potencilaë, për kushtet që duhet t’i plotësojnë për të garantuar mirëqenien e plotë për kafshën që adoptojnë.
Si përfundim, ndonëse promovimi i adoptimeve lokale është iniciativë e mirë, është thelbësore që fokusi të jetë në burimet e problemit të shtimit të numrit të qenve. Duke u fokusuar në mbajtjen e përgjegjshme, fushatat vetdijësuese dhe mbështetjen për mbajtësit (pronarët e qenve), duke i mbajtur ligjërisht përgjegjës personat që braktisin, neglizhojnë apo abuzojnë kafshë, ne mund të krijojmë një komunitet empatik që përkujdeset për kafshët endacake.
Për të mësuar më shumë rreth kushteve të mbajtjes së qenve në komunën e Prishtinës, ju ftojmë të lexoni raportin tone të vlerësimit të dinamikës së popullsisë së qenve në komunën e Prishtinës: